Rama nga Holanda: SHELL ka zbuluar në nëntokën shqiptare një sasi të madhe gazi dhe nafte, ndryshon të ardhmen e vendit tim por edhe të Evropës
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, gjatë vizitës në Holandë, se kompania SHELL e cila operon në Shqipëri është në fazën e një zbulimi shumë të rëndësishëm të gazit dhe naftës, që jo vetëm do të ndikojë jashtë mase të ardhmen e vendit tonë, por do të luajë rol edhe në të ardhmen energjetike të Europës.
Kryeministri Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj zhvilluan sot një bashkëbisedim me përfaqësues të biznesit holandez që operojnë aktualisht në Shqipëri, si edhe me investitorë të tjerë, të interesuar për të zgjeruar aktivitetin e tyre në vendin tonë.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se Holanda është mjaft e pranishme në Shqipëri edhe pse mund të duket paksa larg.
“Këtu janë disa prej aktorëve kryesorë të kësaj pranie dhe të një marrëdhënie shumë të rëndësishme për ne që duam ta thellojmë e zgjerojmë sa më shumë të jetë e mundur”, tha Rama.
Rama theksoi se “ne kemi edhe kënaqësinë e privilegjin për të pasur në vendin tonë SHELL”.
“Ne kemi shumë shpresë se së shpejti do të mund të ndajmë me opinionin tonë publik dhe rajonal, por edhe përtej rajonit një zbulim shumë të rëndësishëm që SHELL po aplikon të realizojë në vendin tonë. Si çdo holandez i mirë, ata refuzojnë të flasin por shenjat tregojnë se mund të jemi në fazën e një zbulimi shumë të rëndësishëm të gazit dhe naftës, që jo vetëm do të ndikojë jashtë mase të ardhmen e vendit tonë, por do të luajë rol edhe në të ardhmen energjetike të Europës”, shtoi Rama.
Në vijim, kryeministri theksoi se “po shohim një rritje të rëndësishme të turistëve holandezë kohëve të fundit”.
Rama tha se programi i famshëm “Wie is de Mol”, ka ndihmuar në shfaqjen e një Shqipërie ndryshe edhe pse ekipi i tyre u habit sepse nuk prisnin aspak të gjenin vendin që gjetën.
“Erdhën falë ambasadorit që i kishte përndjekur për një kohë të gjatë, por nuk mundën të hiqnin qafe Shqipërinë. Kjo është një gjë shumë e mirë”, shtoi Rama
Fraksion.com