Përparimi i forcave ruse në Ukrainë mund të kufizohet nga çmimi i lartë që kanë paguar
Pas gati katër muajsh luftimesh të ashpra, Rusia tha se arriti një fitore të rëndësishme: kontrollin e plotë mbi një nga dy provincat e zemrës industriale të Ukrainës lindore.
Por kapja e xhepit të fundit të rezistencës ukrainase në provincën Luhansk u shoqërua me një çmim të lartë. Pikëpyetja kryesore tashmë është nëse Rusia mund të mbledhë mjaftueshëm forcat për një ofensivë të re, që do t’i siguronte marrjen e rajonit të Donbasit dhe të territoreve të tjera ukrainase.
“Po, rusët kanë marrë rajonin Luhansk, por me çfarë çmimi?”, thotë Oleh Zhdanov, analist ushtarak në Ukrainë, duke vënë në dukje se disa prej njësive ruse të përfshira në betejë humbën mbi gjysmën e ushtarëve të tyre.
Madje edhe Presidenti Vladimir Putin pranoi të hënën se forcat ruse të përfshira në luftimet në Luhansk duhet “të çlodhen dhe të forcojnë kapacitetin e tyre luftarak”.
Kjo ngre pikëpyetjen nëse forcat ruse dhe aleatët e tyre separatistë janë të gatshme të përparojnë më tej në Donetsk, provincën tjetër, që përbën rajonin e Donbasit. Vëzhguesit vlerësojnë se gjatë javëve të fundit, Rusia kontrollonte rreth gjysmën e Donetskut dhe se vija e frontit nuk ka ndryshuar shumë.
Ajo çfarë do të ndodhë në Donbas mund të përcaktojë rrjedhën e mëtejshme të luftës. Nëse Rusia ia del me sukses atje, forcat e saj mund të lëvizen për të marrë territore të tjera dhe për të diktuar kushtet e një marrëveshje paqeje. Nëse nga ana tjetër Ukraina arrin t’i mbajë të bllokuara forcat ruse për një periudhë të zgjatur, atëherë ajo mund të ringrejë kapacitetet që i duhen për një kundërofensivë.
Lodhja e forcave ruse ka qenë prej kohësh plani i ukrainasve, të cilët ishin më pak të armatosur në fillimet e konfliktit, por që shpresuan se furnizimet me armatime nga Perëndimi do ta ndryshonin balancën e forcave.
Ukrainasit po përdorin tashmë me efikasitet artileri të rëndë dhe sisteme të avancuara raketash të dërguara nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera aleate perëndimore. Megjithëse furnizimet me armë do të vazhdojnë, forcat ukrainase kanë deklaruar se janë në disavantazh të madh.
Ministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar tha rishtazi se forcat ruse po përdornin municion gati 10 herë më shumë se ushtria ukrainase.
Pas dështimit të përpjekjes për të marrë me shpejtësi kontrollin e Kievit në javët e para të luftës, forcat ruse u tërhoqën nga shumë pjesë të Ukrainës veriore dhe qendrore dhe e kthyen vëmendjen e tyre drejt Donbasit, një rajon minierash dhe fabrikash, ku separatistët e mbështetur nga Moska, kanë luftuar kundër ukrainasve që nga viti 2014.
Që atëherë, Rusia ka përqafuar një qasje të ngadaltë dhe të qëndrueshme, që e lejoi atë të kapte disa bastione të fundit ukrainase në Luhansk gjatë javëve të fundit.
Ndërsa zyrtarët ukrainas kanë pranuar se trupat e tyre janë tërhequr nga qyteti Lysychansk, qendra e fundit i rezistencës së tyre në Luhansk, zyra e presidentit tha të martën se ushtria po mbronte ende zona të vogla në këtë provincë.
Analisti Zhdanov parashikon se forcat ruse ka të ngjarë të mbështeten në fuqinë e tyre të zjarrit për të “zbatuar të njëjtat taktika të tokës së djegur dhe për të bombarduar qytete të tëra” në Donetsk. Në të njëjtën ditë që Rusia pretendoi se kishte marrë Lysychanskun, u raportuan sulme të reja artilerie në Donetsk.
Por qasja e Rusisë nuk është pa disavantazhe. Moska nuk e ka bërë më të ditur numrin e viktimave, që kur tha se rreth 1,300 ushtarakë u vranë në muajin e parë të luftimeve. Zyrtarët perëndimorë thonë se edhe kjo shifër nuk pasqyronte humbjet reale. Që atëherë, vëzhguesit perëndimorë kanë vënë në dukje se numri i forcave ruse të përfshira në luftime në Ukrainë është zvogëluar, duke reflektuar kështu dëmet e mëdha dhe dështimin e Kremlinit për t’i plotësuar sërish radhët e tyre.
Numri i kufizuar i forcave, i ka detyruar komandantët rusë të shmangin përpjekjet ambicioze për të rrethuar zona të mëdha në Donbas, duke zgjedhur manovra më të vogla dhe duke u mbështetur në valë të rënda bombardimi me artileri, për t’i detyruar ngadalë ukrainasit që të tërhiqen.
Ushtria është mbështetur gjithashtu shumë te separatistët, të cilët kanë organizuar disa raunde mobilizimi dhe zyrtarët e analistët perëndimorë kanë thënë se Moska ka angazhuar gjithnjë e më shumë kontraktorë ushtarakë privatë. Është përpjekur gjithashtu të inkurajojë meshkujt rusë, të cilët e kanë kryer tashmë shërbimin ushtarak, që të regjistrohen përsëri, megjithëse është e paqartë se sa sukses ka patur.
Ndërsa Presidenti rus Putin deri më tani nuk ka shpallur një mobilizim të gjerë, që mund të nxisë pakënaqësi sociale, një legjislacion i propozuar së fundmi sugjeron se Moska po kërkon mënyra të tjera për të plotësuar forcat ushtarake. Projektligji do t’u lejonte rekrutëve të rinj, të cilët thirren në ushtri për një vit dhe u ndalohet të marrin pjesë në luftime, që ta ndryshojnë menjëherë statusin e tyre dhe të nënshkruajnë kontrata për t’u bërë ushtarë profesionistë. Projekt-ligji u anulua mes kritikave të forta.
Disa zyrtarë dhe analistë perëndimorë kanë argumentuar se dobësimi është aq i rëndë sa që mund ta detyrojë Moskën të pezullojë ofensivën e saj në një moment më të vonë gjatë verës, por Pentagoni ka paralajmëruar se edhe pse Rusia ka futur në përdorim me ritme të shpejta forcat ushtarake dhe furnizimet, ajo ende ka burime të bollshme.
Drejtorja e Zbulimit Kombëtar e Shteteve të Bashkuara, Avril Haines tha se Presidenti Putin dukej se po e pranonte ritmin e ngadaltë të përparimit në Donbas dhe se tani shpreson të fitojë duke shkatërruar forcat ukrainase me eksperiencë në fushëbetejë.
“Ne besojmë se Rusia mendon se nëse janë në gjendje të mposhtin vërtet një nga formacionet më të afta dhe më të mirëpajisura në lindje të Ukrainës … kjo do të sjellë një rënie të rezistencës ukrainase dhe kjo mund t’u japë atyre (rusëve) mundësi më të mëdha”, tha zonja Haines.
Nëse Rusia fiton në Donbas, ajo mund të vazhdojë të pushtojë rajonin jugor të Khersonit dhe një pjesë të Zaporizhzhias fqinje, në përpjekje për ta shkëputur përfundimisht Ukrainën nga bregdeti i saj në Detin e Zi, deri në kufirin rumun. Nëse kjo do të kishte sukses, do t’i jepte një goditje dërrmuese ekonomisë ukrainase dhe gjithashtu do të krijonte një korridor drejt rajonit separatist Transnistria të Moldavisë, ku ndodhet një bazë ushtarake ruse.
Por kjo nuk është aspak e sigurt. Mykola Sunhurovsky, i Qendrës Razumkov, një institut kërkimor me seli në Kiev, parashikon se furnizimet në rritje me armatime të rënda perëndimore, përfshirë raketat e shumta HIMARS, do ta ndihmojnë Ukrainën të ndryshojë drejtimin e luftës.
“Furnizimet e armëve do t’i lejojnë Ukrainës të nisë një kundërofensivë në jug dhe të luftojë për Khersonin dhe qytete të tjera”, tha zoti Sunhurovsky.
Por, edhe Ukraina është përballur me humbje masive të personelit: deri në 200 ushtarë në ditë në javët e fundit të luftimeve të ashpra në lindje, sipas të dhënave të zyrtarëve.
“Në përgjithësi, balanca ushtarake lokale në Donbas favorizon Rusinë, por prirjet afatgjata ende favorizojnë Ukrainën”, shkruan Michael Kofman, ekspert për ushtrinë ruse dhe drejtor programi në institutin CNA me seli në Virxhinia. “Megjithatë, ky vlerësim është i kushtëzuar me ndihmën e qëndrueshme ushtarake perëndimore dhe nuk është domosdoshmërisht parashikues i rezultateve. Kjo ka të ngjarë të jetë një luftë e zgjatur”, tha ai./voa
Fraksion.com