“Në orarin e punës duhet të ketë njëfarë serioziteti mbi veshjen, i cili në ditët e sotme po mungon”
“Nuk i kam lyer flokët dhe nuk vesh rroba firmato. Mendoj se është e drejta e secilit prej nesh për ta shprehur veten më së miri, për të qenë ata që dëshirojmë të jemi. Kam kolege gjeniale dhe të përgatitura që veshin taka sa një majë gjilpëre dhe i kanë flokët përherë perfekte. Nuk i gjykoj kurrsesi që janë ndryshe nga unë, sepse mendoj që kushdo duhet të duket ashtu si ndihet më së miri. Unë jam një gazetare, nuk jam një aktore apo modele, dhe mundohem të vishem në mënyrë të denjë për profesionin që kam.
Jam një gazetare, shkruaj, punoj, raportoj dhe puna ime është kjo: të shkoj në televizion, të jem në vendin tim. Nga mua njerëzit nuk presin të dukem bukur, por të dinë lajmet e ditës, t’u tregoj se çfarë është duke ndodhur. Ky është një moment, kur shoqëria e pyet veten mbi modelet që i shpalosen. Çdo model duhet t’i përshtatet rolit që ka në shoqëri. Ky është një moment për të diskutuar mbi veten tonë dhe për t’u ndjerë të pranuar”. – Giovanna Botteri
Çdokush mund të vishet e të duket ashtu siç ndihet më së miri, dhe asnjë person tjetër nuk duhet ta gjykojë mbi këtë fakt. Ama ka diçka, në momentin që je në një pozicion të caktuar pune, duhet t’i përshtatesh paksa profesionit. Mendoni për një moment një ministre, e cila përfaqëson interesat e vendit të saj për ministrinë që mbulon, të jetë e veshur në mënyrë ekstravagante në punë, apo në takimet me qytetarët. A do t’ju dukej normale apo e besueshme ajo? Nuk jemi duke trajtuar këtu se si vishet pas orarit të punës. Pas pune, çdo person ka një jetë personale dhe sigurisht mund të vishet si të dëshirojë, ama në orarin e punës duhet të ketë njëfarë serioziteti edhe mbi veshjen, i cili në ditët e sotme është duke munguar.
Fraksion.com