Arrestohet një i dyshuar për të shtënat në SHBA
Policia amerikane ka arrestuar një të dyshuar për të shtënat masive më 4 korrik, ku mbetën të vdekur gjashtë persona gjatë Paradës së Pavarësisë të mbajtur në Parkun Highland, në periferi të Çikagos.
Sulmuesi kishte hipur në një çati dhe kishte qëlluar me një pushkë në drejtim të qytetarëve që kishin dalë për të festuar Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Por, pas një ndjekjeje të shkurtër me veturë, Robert Crimo, 22 vjeç, u arrestua “pa asnjë incident”, tha shefi i policës, Lou Jogmen.
Ai iu referua të arrestuarit si “person me interes” në të shtënat, por pas arrestimit policia tha se besonte se Crimo ishte përgjegjës.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ishte “i shokuar” nga dhuna.
Zyrtarët e emergjencave thanë se dhjetëra persona, përfshirë edhe fëmijë, janë trajtuar në spital për lëndime me armë zjarri dhe disa prej të plagosurve janë në gjendje kritike.
Parada nisi në orën 10:00 sipas kohës lokale dhe u ndërpre 10 minuta pasi nisën të dëgjoheshin të shtëna.
Më pas qindra persona – disa të gjakosur – u panë duke u larguar nga parada.
Disa orë pas të shtënave në Çikago, dy policë u plagosën në të shtënat në Filadelfi gjatë festimeve të 4 Korrikut.
Guvernatori i Illinoisit, Jap Robert Pritzker, paralajmëroi se të shtënat masive po bëhen një “traditë amerikane”.
“Do të ketë njerëz që do të thonë se sot nuk është dita, se tani nuk është koha për të folur për armët. Po ju them se nuk ka ditë më të mirë dhe nuk ka kohë më të mirë se tani”, tha guvernatori demokrat.
Presidenti amerikan, Joe Biden, u zotua se do të vazhdojë të luftojë “epideminë e dhunës së armëve” në shtet.
“Nuk do të dorëzohem”, tha ai, teksa foli jashtë Shtëpisë së Bardhë.
Javën e kaluar, Biden nënshkroi projektligjin e parë federal për sigurinë e armëve në pothuajse 30 vjet.
Ky legjislacion vendos kontrolle më të ashpra për blerësit e rinj të armëve dhe inkurajon shtetet që të largojnë armët nga personat që konsiderohen si kërcënim, por kritikët kanë thënë se këto masa nuk janë të mjaftueshme.
SHBA-ja viteve të fundit vazhdimisht po përballet me të shtëna masive.
Në një sulm më 24 maj, 19 nxënës dhe dy mësues u vranë në një shkollë fillore në Uvalde të Teksasit. Kjo ngjarje kishte ndodhur vetëm dhjetë ditë pas të shtënave në një dyqan ushqimor në Bufallo të Nju Jorkut, ku u vranë dhjetë persona.
Fraksion.com