AktualitetPolitikëTë fundit

Rutte: Nëse Shkupi s’pranon propozimin francez, mbështesim ndarjen e Shqipërisë

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte deklaroi sot se Ballkani Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, po punojnë fort për t’u bërë pjesë e Evropës.

Rutte në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Holandë, tha se Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Holandës në procesin e integrimit evropian.

“Në samitin për Ballkanin Perëndimor që u mbajt në Bruksel, BE ripohoi në mënyrë pozitive angazhimin e saj. Po kështu edhe komentet e Edi Ramës më pas, dhe besoj se kishte të drejtë nuk ishte takim i suksesshëm. Ne duhet të bëjmë më shumë. Ne e dimë se vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, po punojnë fort për t’u bërë pjesë e BE-së dhe Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Holandës. Problemi këtu është me Maqedoninë e Veriut dhe falë përpjekjes franceze, ka patur një moment të ri në procesin e anëtarësimit, që ndikon edhe Shqipërinë, pasi të dyja, politikisht së paku, janë të lidhura. Ne mbështesim propozimin francez për heqjen e pengesave që në këtë moment ende po bllokojnë Maqedoninë e Veriut dhe po kështu Shqipërinë në procesin e anëtarësimit. Propozimi trajton të gjitha shqetësimet e mbetura”, tha Rutte.

Rutte deklaroi se BE do të vijojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut në hapat e mëtejshëm, nëse pranon propozimin francez.

“Qeveria po i hedh një vështrim pozitiv. Shpresojmë që edhe në Parlament të ketë një mbështetje të fortë për këtë kompromis. Bashkimi Evropian, në momentin që të arrihet një kompromis nuk do ta lerë vetëm Maqedoninë e Veriut. Sa të kemi një “po” pozitive, KE dhe udhëheqësit më të lartë do të jenë të lidhur ngushtë me Maqedoninë e Veriut. Dhe këtë angazhim po e bëj sot dhe nuk do ta lëmë këtë proces të kalojë. Do të jemi në mbështetje të tij”, tha Rutte.

Kryeministri holandez theksoi se dhënia e një date për tryezën e parë ndërqeveritare do të ishte edhe një shpërblim për qeverinë shqiptare të Edi Ramës, për reformat e ndërmarra.

“Po kështu, do të jetë një shpërblim i drejtë për të gjithë punën e bërë nga qeveria e Edi Ramës dhe reformat që ka ndërmarrë, që i pashë vetë, me sytë e mi, në vizitën time në nëntor, kur vizitova Tiranën, në një vizitë të këndshme”, deklaroi ai.

Rutte u shpreh optimist se Maqedonia e Veriut do ta pranojë propozimin francez dhe për rrjedhojë nuk do të jetë e nevojshme ndarja me Shqipërinë në rrugëtimin e integrimit.

Megjithatë, nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pra Maqedonia e Veriut ta refuzojë si propozim, atëherë Rutte theksoi se Shqipëria do të ketë një mbështetje më të madhe nga vendet evropiane që ta vazhdojë rrugën drejt BE-së, e vetme.

“Nëse Maqedonia e Veriut nuk do e pranojë propozimin francez, Shqipëria do të ketë më tepër mbështetje nga kolegët që ta vazhdojë e vetme rrugën, por shpresoj që të mos jetë e nevojshme”, tha Rutte.

 

Fraksion.com