AktualitetPolitikëTë fundit

Ish ministri mbron Salianjin: Ku e ka kallëzimin e rremë Drejtësia e re?

Ish-ministri i drejtësisë, Ylli Manjani, i ka dalë në mbrojtje deputetit demokrat, Ervin Salianji, i cili do të dalë para gjykatës së Apelit për akuzën e kallëzimit të rremë. Në fakt, sipas Manjanit, kjo gjë nuk ka ndodhur, sepse deputeti I PD nuk ka bërë denoncim në asnjë prokurori, por thjesht ka denoncuar publikisht, çka është detyra e tij si politikan:

“Është Edvini, jo Ervini problemi! Ervin Salianji është deputet, njeri politik dmth, për të cilin mund të bësh lloj-lloj gjykimi politik. Secili e bën sipas pikëpamjes së vet. Sa më takon, sjelljen e Tij më 8 janar të këtij viti, me atë shkopin e bejzbollit në dorë te selia e PD, nuk e gëlltis dot.

Pooooor, siç kam thënë edhe më parë, Ervin Salianji nuk ka kryer veprën penale të kallëzimit të rremë, kur denoncoi në publik çështjen “Babale kundër Xhafajt”. Ai nuk bëri kallëzim në prokurori fare, ndaj s’ka sesi të vlerësohet nëse është i rremë apo jo. Kallëzimi i rremë është togfjalësh që ka një emër dhe një mbiemër përcaktor. Pra duhet të kemi kallëzimin, dmth emrin, pastaj ta vlerësojmë është apo jo i rremë…

Kallëzimi i rremë është proces që fillon me paraqitjen e një kallëzimi në prokurori dhe, të ketë qëllim ta shmangë drejtësinë nga nxjerrja e të vërtetës. Por Salianji denocoi në publik, si çdo deputet e politikan. Nuk bëri kallëzim. Drejtësia e re, pa marrë parasysh këtë gjë, vlerësoi rrenën, pra pa patur kallëzimin.

Ekuacioni është me të meta. X×rrenë=kallëzim i rremë?! Joooo. Zgjidhje totalisht e gabuar. Dmth ligjërisht e logjikisht ajo akuzë e ai dënim i shkallës së parë është absurd juridik. Nonsens logjik. Do kishte qenë më pranë llogjikës një dënim për moskallëzim, sesa për një kallëzim që s’e ke bërë.

Të dënojnë për një gjë që s’e ke bërë?! Të dënojnë për x-in, të panjohurën. Por të dënojnë edhe për një rrenë që nuk rezultoi rrenë fare. Babalja dhe ish-miku i tij Xhafaj ishin persona realë. Ky i fundit madje përfudoi në burg, të mbaronte dënimin në Itali.

Çfarë rrene bëri Salianji?! Apo që thjesht solli në vemendje që Xhafaj ishte vëlla me ministrin e brendshëm!? As kjo nuk ishte rrenë! Atëherë për çfarë rrene, se për kallëzim s’ka sesi, sepse nuk kishte, u dënua tjetri?!

Më në fund, pas kaq kohësh, besoj se edhe vetë Xhafaj, ministër i kohës, e di që nuk e shkarkoi Salianji nga detyra… Ishte Edvini, jo Ervini që e shkarkoi. Donte ta hiqte qafe dhe e hoqi. Ndaj, logjikshëm, bazuar në ligjet e shkruara të shtetit, për Salianjin pres vetëm pafajsi për këtë akuzë absurde”.

 

Fraksion.com