Gazetarët në ‘riedukim’, Rama nga Amsterdami: Jam luftëtar, nuk hesht kur përballem me deklarata idiote
Sot në orën 19:00, gazetarët do të dalin në protestë para Kryeiministrisë për të kundërshtuar ‘riedukimin’ që kryeministrit Rama ka aplikuar së fundmi për gazetarët ‘që shkelin kodin e etikës’ në gazetari.
Nërkohë kryeministri Edi Rama nga Amsterdami ka komentuar sërish vendimin për përjashtimin e gazetarit Klevi Muka nga konferencat për tre muaj. Në një bashkëbisedim në qendrën e mirënjohur “De Balie”, Rama tha se nuk mund të qëndrojë indiferent kur dëgjon deklarata idiote. Ai tha se nuk e kupton përse liria duhet të jetë vetëm për gazetarët, por edhe vetë kryeministri duhet të ketë lirinë e tij.
“Jam luftëtar i çmendur nuk mund të hesht kur përballem me deklarata idiote, nuk e kuptoj pse liria është për gazetarët dhe jo për kryeministrin dhe unë duhet të kem lirinë time”, tha Rama.
Rama tha se ka shumë kritika për lirinë e medias në Shqipëri, por kjo sipas tij nuk qëndron pasi në vendin tonë nuk ka asnjë gazetë apo gazetar që të ketë patur probleme prej kësaj. Kreu i qeverisë tha se mediat në Tiranë nuk kanë aspak censure, madje shpesh tejkalojnë etikën.
“Megjithatë kjo është shumë e diskutueshme, ka vende ku udhëheqësit i kontrollojnë titujt në darkë dhe të nesërmen kontrollojnë nëse janë botuar siç duhen. Asgjë e tillë nuk ndodh në Shqipëri. Kritikohem për diçka, jam përpjekur fort, kam ndryshuar shumë. Unë dua të respektoj kritikët, kam rrezikuar jetën për lirinë e fjalës. Më është dashur të kaloj ferrin fizikisht sepse kam folur dhe ndonjëherë nuk mund të rri pafolur përballë gjërave të çmendur që janë rrezik i abuzimit me lirinë fjalës dhe kjo i rëndon gjërat. Shihni për tre ditë shtypin shqiptar, kuptoni që s’ka censurë, ka diçka shqetësues që është legjitimiteti i plotë i abuzimit me lirinë tënde në dëm të çdo individi që duan të sulmojnë. Nuk dua të the që ne jemi parajsa e lirisë”, vijoi Rama.
Pak ditë më parë në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e Jashtme Olta Xhaçka, gazetari pyeti këtë të fundit nëse e ka takuar bashkëshortin e saj, investitor strategjik, në prani të dy anëtarëve të administratës, siç e parashikon kodi i ri etik apo e ka thyer kodin e ri i cili parashikon sanksione deri në largim nga puna. Kjo për kreun e qeverisë u cilësua si shkelje etikës, dhe çoi gazetari për ‘3 muaj në riedukim’.
Pjesë nga debati mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetarit të A2 CNN Klevin Muka:
Gazetari: Më 29 Prill të këtij viti ka hyrë në fuqi kodi etik për Këshillin e Ministrave i cili ndalon dhe parashikon sanksione deri në largim nga detyra për ministrat që e shkelin. Një nga pikat e këtij kodi është që ministrat nuk duhet të takohen me biznesmenë dhe duhet të takohen vetëm kur janë në kushtet kur janë në praninë e dy punonjësve të administratës. Ju personalisht e keni respektuar këtë pikë? A e keni takuar bashkëshortin tuaj biznesmen dhe strategjik nën shoqërinë e dy punonjësve të administratës apo e keni shkelur kodin etik?
Rama: Dëgjo. Tani këtu përgjigjen ta jap unë. Do kalosh në riedukim si Ambrozia në tre muajt e ardhshëm. Nuk je i mirëseardhur në asnjë konferencë shtypi.
Gazetari: Pa problem. Kodi Etik për çfarë është bërë? A do të zbatohet apo jo? Kjo ishte pyetja ime dhe nuk e kuptoj se çfarë ka këtu, nëse vetë ju keni thënë që do të ketë sanksione për ata ministra që nuk zbatojnë kodin etik
Rama: Kjo është një tjetër shkelje e kodit etik të një gazetari në një konferencë shtypi që vazhdon me mikrofon dhe mban fjalime. Për pyetje të përsëritura pa asnjë etik ka një proces që quhet riedukim. 3 muaj. Kështu që përgjigjen e radhës t’i do ta marrësh pas 3 muajsh. Në konferencën e tetorit je i mirëpritur për të marrë atë përgjigje. Sepse në kodin etik të gazetarit ka një normë shumë të thjeshtë që quhet respekt.
Fraksion.com