Rama: Baza e amnistisë fiskale, kursimet e emigrantëve nga puna në të zezë
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se amnistia fiskale është një kërkesë e kohës, e mbështetur gjerësisht nga opinioni publik, ndërsa shtoi se “Shqipëria është e fundit që po e bën amnistinë fiskale”.
Në një konferencë për shtyp me gazetarët, Rama theksoi se “për amnistinë fiskale kemi pyetur shqiptarët masivisht dhe kanë thënë, po”.
“Jua kam thënë edhe partnerëve, ne mirëpresim çdo vërejtje, por nuk e mirëpresim qëndrimin se: ‘Shqipëria nuk e bën dot amnistinë fiskale, se shqiptarët janë pak të çuditshëm’. Ne kemi bërë një projekt që është akoma i përmirësueshëm, sepse nuk ka vajtur në votim. Projekti përfshin të gjitha masat e para dhe të marra nga ligjet e amnistisë së vendeve të tjera për të parandaluar keqshfrytëzimin e kësaj mundësie”, shtoi Rama.
Kryeministri tha se “nuk i jepet askujt amnisti, përveç se deri në ditën e depozitimit të parave”.
“Kjo vlen për këdoqoftë që nuk është i dënuar e nuk ka punuar në shtet, nuk ka qenë politikan etj. Janë një sërë kategorish të përjashtuara që mund të kenë burime korrupsioni në pasurinë e tyre, apo nga krimi. Për gjithë pjesën tjetër amnistia është në fuqi deri ditën kur depozitohen lekët. Nëse më pas dikush kapet se bën një krim apo zbulohet me veprimtari kriminale vlen njëlloj si për gjithë të tjerët”, tha Rama.
Por, Kryeministri shtoi se “nuk mund të pranojmë që gjithë shqiptarët dhe paratë që vijnë nga jashtë janë të paragjykueshme, meqë disa nga shqiptarët shkëlqejnë në botën e krimit”.
“Këtë nuk e bëjmë dot. Janë kursime nga puna në të zezë, jo nga puna e zezë. Shikoni se çfarë heqin emigrantët për shuma si 10 mijë euro me histori bankash, pastrimi parash e prokurori dhe me korrupsion nga prokurorë që i mbajnë peng për t’u marrë ndonjë lek, që t’u lirojnë lekët e tyre. Këta janë baza e amnistisë”, tha Rama.
Fraksion.com