“Takim me delegacionin e AP të KE”, Meta: Me rëndësi, nisja sa më parë e negociatave me BE
Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, me Joseph O’Reilly dhe Asim Mollazada, që po vizitojnë Shqipërinë për mbledhjen e fakteve mbi situatën në Shqipëri.
Meta u shpreh se mirëpriti angazhimin e Asamblesë Parlamentare dhe strukturave të tjera të Këshillit të Evropës, përfshirë Komisionin e Venecias, për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe të lirisë së medias në Shqipëri.
“Gjatë takimit theksova rëndësinë e nisjes sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dhe domosdoshmërinë për t’iu përgjigjur të gjitha problemeve të ngritura me shqetësim nga Parlamenti Evropian, në rezolutën e tij të 19 majit”, shkroi Meta në një postim në rrjetet sociale.
“Vura në dukje se fatkeqësisht Shqipëria vijon të zbresë shkallët e renditjes në të gjitha raportet ndërkombëtare që analizojnë nivelin e respektimit të të drejtave të njeriut, lirisë së medias, lirive politike dhe ekonomike, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Meta.
“Njëkohësisht, theksova rëndësinë që ka forcimi edhe më shumë i bashkëpunimit në të ardhmen me Këshillin e Evropës dhe të gjitha strukturat e tij”, u shpreh Meta.
Fraksion.com