Rusia dhe Kina kritikojnë NATO-n pasi aleanca ngre alarmin
NATO-ja u kritikua nga Moska dhe Pekini të enjten pasi deklaroi se Rusia përbën një “kërcënim të drejtpërdrejtë” dhe tha se Kina paraqet “sfida serioze” për stabilitetin global.
Gjatë një takimi të nivelit të lartë në Madrid, aleanca ushtarake perëndimore tha se bota është zhytur në një fazë të rrezikshme të konkurrencës së fuqive të mëdha dhe përballet me një mori kërcënimesh, që nga sulmet kibernetike e deri te ndryshimet klimatike.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha në përfundim të takimit të enjten se vendet anëtare ranë dakord për një “ndryshim themelor në parandalimin dhe mbrojtjen tonë” dhe i dërguan Moskës një mesazh të qartë, se aleanca ishte e vendosur për kufijtë e saj lindorë.
“Ne jetojmë në një botë më të rrezikshme, në një botë më të paparashikueshme, ku po zhvillohet një luftë e ashpër në Evropë”, tha zoti Stoltenberg. “Në të njëjtën kohë, ne gjithashtu e dimë se kjo situatë mund të përkeqësohet nëse kjo kthehet në një luftë të mirëfilltë midis Rusisë dhe NATO-s”.
Zoti Stoltenberg vazhdoi më tej: “Ne duam të heqim çdo hapësirë për llogaritje të gabuara, apo keqkuptime nga Moska, për gatishmërinë tonë për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s. Kjo është përgjegjësia kryesore e NATO-s”.
Gjatë bisedimeve të tyre treditore në Spanjë, krerët e NATO-s ftuan zyrtarisht Finlandën dhe Suedinë për t’u bashkuar me aleancën, pasi kapërcyen kundërshtimin nga Turqia. Nëse anëtarësimi i vendeve nordike miratohet nga 30 vendet anëtare, kjo do t’i japte NATO-s një kufi të ri prej 1300 kilometrash me Rusinë.
Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se do të përgjigjej në të njëjtën mënyrë, nëse dy vendet nordike lejonin trupat e NATO-s dhe infrastrukturën ushtarake në territorin e tyre. Ai tha se Rusia do të duhej të “krijonte të njëjtat kërcënime për territoret nga të cilat krijohen kërcënime kundër nesh”.
Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas tha se kërcënimet e Putinit nuk përbënin “asgjë të re”. “Sigurisht, mund të presësh surpriza nga Putini, por dyshoj se ai do të sulmojë drejtpërdrejt Suedinë apo Finlandën”, tha zonja Kallas.
Kina akuzoi aleancën për “sulmimin dhe njollosjen me qëllim të Pekinit”. Misioni kinez në Bashkimin Evropian tha se NATO-ja “pretendon se vendet e tjera paraqesin sfida, por është NATO-ja ajo që po krijon probleme në mbarë botën”.
Udhëheqësit e NATO-s e përqëndruan vëmendjen në sesion e fundit të takimit të tyre, tek rajoni Sahel në Afrikë dhe tek Lindja e Mesme, ku paqëndrueshmëria politike – e rënduar nga ndryshimet klimatike dhe pasiguria ushqimore e shkaktuar nga lufta në Ukrainë – po shtyn një numër të madh emigrantësh drejt Evropës.
“Është në interesin tonë të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë të ngushtë në jug për të luftuar së bashku sfidat e përbashkëta”, tha zoti Stoltenberg.
Por ishte Rusia ajo që dominoi takimin e nivelit të lartë. Zoti Stoltenberg tha se agresioni i Moskës ndaj Ukrainës kishte sjellë “ndryshimin më të madh të mbrojtjes kolektive të NATO-s, që nga fundi i Luftës së Ftohtë”.
Sulmi shkatërroi paqen e Evropës dhe si përgjigje NATO-ja ka dërguar trupa dhe armë në Evropën Lindore në një shkallë të paparë në dekada. Vendet anëtare i kanë dhënë Ukrainës miliarda dollarë ndihma ushtarake dhe civile për të forcuar qëndresën e saj.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili iu drejtua takimit të nivelit të lartë me video, kërkoi më shumë. Ai i kërkoi NATO-s të dërgonte sisteme moderne artilerie dhe armë të tjera dhe paralajmëroi udhëheqësit se, ose duhet t’i siguronin Kievit ndihmën që i nevojitej, ose do të “përballeshin në të ardhmen me një luftë me Rusinë dhe NATO-n”.
“Pyetja është, kush është në radhë? Moldavia? Apo Baltiku? Apo Polonia? Përgjigja është: të gjitha”, tha ai.
Udhëheqësit e NATO-s ranë dakord të rrisin në mënyrë dramatike forcën ushtarake përgjatë krahut lindor të aleancës, ku vendet që nga Rumania e deri tek shtetet baltike janë të shqetësuara për planet e ardhshme të Rusisë.
Ata njoftuan planet për të gati tetëfishuar forcën e reagimit të shpejtë të aleancës, nga 40,000 në 300,000 trupa, deri vitin e ardhshëm.
Presidenti amerikan Joe Biden, vendi i të cilit siguron pjesën më të madhe të fuqisë luftarake të NATO-s, njoftoi një rritje të madhe të pranisë ushtarake të Amerikës në Evropë, duke përfshirë një bazë të përhershme të SHBA-së në Poloni, dy destrojerë të tjerë me bazë në Rota të Spanjës dhe dy skuadrone të tjera me avionë F35 në Britani.
Zgjerimi i pranisë amerikane do të përfshijë 100,000 trupa në Evropë, nga 80,000 para fillimit të luftës në Ukrainë.
Presidenti Biden tha se Putini kishte shpresuar se anëtarët e NATO-s do të përçaheshin, pasi ai sulmoi Ukrainën, por udhëheqësi rus mori përgjigjen e kundërt.
Megjithatë, tensionet mes aleatëve të NATO-s janë shfaqur pasi kostoja e energjisë dhe mallrave të tjera thelbësore është rritur ndjeshëm, pjesërisht për shkak të luftës dhe sanksioneve të ashpra perëndimore ndaj Rusisë. Ekzistojnë gjithashtu tensione se si do të përfundojë lufta dhe çfarë lëshimesh duhet të bëjë Ukraina.
Fondet mbeten një çështje e ndjeshme – vetëm nëntë nga 30 anëtarët e NATO-s aktualisht përmbushin objektivin e organizatës për të shpenzuar 2% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen.
Britania, një nga nëntë anëtaret, njoftoi të enjten edhe 1.21 miliardë dollarë mbështetje ushtarake për Ukrainën.
Në atë që zoti Stoltenberg e quajti një takim “transformues”, udhëheqësit publikuan Konceptin e ri Strategjik të NATO-s, ku përfshihen përparësitë dhe qëllimet e saj për dekadën e ardhshme.
Dokumenti i fundit i tillë, në vitin 2010, e quante Rusinë një “partner strategjik”. Tani, NATO-ja po e akuzon Rusinë se po përdor mjete të tilla si “agresioni dhe aneksimi” për të zgjeruar shtrirjen e saj.
Dokumenti i vitit 2010 nuk e përmendte Kinën, por i sotmi trajton shqetësimet nga shtrirja ekonomike dhe ushtarake në rritje e Pekinit.
“Kina nuk është kundërshtari ynë, por ne duhet të jemi të qartë për sfidat serioze që ajo përfaqëson”, tha zoti Stoltenberg të mërkurën.
NATO-ja tha se Kina “përpiqet të përmbysë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, duke përfshirë në hapësirë, fushat kibernetike dhe detare” dhe paralajmëroi për lidhjet e saj të ngushta me Moskën.
Aleanca tha, megjithatë, se mbetet “e hapur ndaj angazhimit konstruktiv” me Pekinin.
Kina u përgjigj duke thënë se NATO-ja ishte një burim paqëndrueshmërie dhe u zotua të mbronte interesat e saj.
“Meqenëse NATO e pozicionon Kinën si një “sfidë sistematike”, ne duhet t’i kushtojmë vëmendje të madhe dhe të përgjigjemi në mënyrë të koordinuar. Kur bëhet fjalë për akte që minojnë interesat e Kinës, ne do të kthejmë përgjigje të forta dhe të prera”, thuhet në deklaratën e Pekinit./VOA
Fraksion.com