Lajçak optimist për një takim Kurti-Vuçiq para pushimeve
I ngarkuari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është optimist për jetësimin e marrëveshjeve të reja Kosovë-Serbi siҫ ndodhi ditë më parë me zbatimin e marrëveshjes për energjinë.
“Kemi pasur diskutime të gjata sa i përket dialogut mes Kosovës e Serbisë, për hapat e tashëm. Takimi i radhës shpresoj të jetë në muajin korrik. Jam duke punuar që t’i takojmë të dy liderët, Kurtin e Vuçiq, që të krijojmë mundësitë për të pasur një dokument-marrëveshjeje për personat e zhdukur”, tha Lajçak.
Asociacioni zotim që Kosova e ka pranuar
I pyetur për ҫështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe marrëveshje kjo që është nënshkruar në vitin 2013, por që nuk po gjen zbatim, emisari special tha se “kjo është një çështje për të cilën është pajtuar Kosova dhe se duhet të zbatohet”.
“Sa i përket Asociacionit është zotimi të cilin e ka pranuar Kosova përfshirë këtu përmes ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes. Ka një parim të mirënjohur të drejtës ndërkombëtare, që thotë se ajo që është pajtuar duhet të zbatohet”, tha Lajçak. Sipas tij, “zbatimi i kësaj marrëveshje nuk është diçka të cilën e kërkon Brukseli, por është marrëveshje për të cilën palët janë pajtuar në dialog”.
“Kjo nuk është diçka që Brukseli e kërkon, kjo është diçka për të cilën janë pajtuar palët në dialog pra Kosova dhe Serbia. Pozita jonë si BE është e drejtuar si në anën e Kosovës dhe Serbisë, pra ajo që është pajtuar duhet të zbatohen”, tha Lajqak, duke shtuar se “kjo çështje nuk mund të shmanget dhe se kjo nuk është vetëm që të kënaqim BE-në por që ta shtyjmë procesin përpara”.
Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është parashikuar me një marrëveshje të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vitin 2013, ndërkaq, dy vjet më vonë, të dyja vendet arritën marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit. Mirëpo, Gjykata Kushtetuese e Kosovës në një interpretim të dokumentit, konstatoi se parimet e marrëveshjes nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Por, megjithatë, Gjykata, ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Uniteti politik shumë i rëndësishëm
Emisari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajqak, tha se uniteti politik në Kosovë është shumë i rëndësishëm për ecjen përpara të dialogut, dhe ai i vlerësoi si shumë të rëndësishme “deklaratat e opozitës në mbështetje të dialogut dhe angazhimeve të qeverisë në këtë proces”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nga ana e tij pas takimit me Lajqak, ka thënë se “Qeveria e Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, e cila në qendër ka njohjen reciproke”.
Lajqak në konferencë kur u pyet për deklaratat e shumë diplomatëve evropianë se “Kosova e Serbia s’mund të bëhen pjesë e BE-së pa e njohur njëra-tjetrën”, ai tha se “kjo është arsyeja pse nevojiten takime të rregullta që të përkufizohet se çfarë nënkupton normalizimi i plotë i marrëdhënieve dhe si të arrihet kjo”.
Kosova dhe Serbia kanë filluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, por shumica nga to akoma nuk janë zbatuar./DW
Fraksion.com