AktualitetNATO/BETë fundit

Kancelari Scholz dëshiron deeskalimin e tranzitit në Kaliningrad

Kancelari Scholz dëshiron të arrijë një zbutje në mosmarrëveshjen për tranzitin në enklavën ruse të Kaliningradit. Në fund të samitit të NATO-s, ai e përshkroi Rusinë si një “kërcënim” për Evropën dhe NATO-n.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dëshiron një lehtësim të mosmarrëveshjes mbi trafikun tranzit rus në enklavën ruse të Kaliningradit në Detin Baltik. I takon Bashkimit Evropian të vendosë kushtet e nevojshme kornizë, tha ai në fund të samitit të NATO-s në Madrid. Rregullat duhet “natyrisht që gjithmonë të vendosen duke mbajtur parasysh faktin se këtu kemi të bëjmë me trafikun midis dy pjesëve të Rusisë”, tha kancelari. “Dhe unë besoj se të gjithë pjesëmarrësit aktualisht po përpiqen të krijojnë një dinamikë deeskalimi.”

Lituania ndaloi në mesin e qershorit tranzitin hekurudhor të mallrave të caktuara përmes territorit të saj në rajonin e Kaliningradit, mallra të cilat janë në listat e sanksioneve perëndimore. Rusia i kritikoi kufizimet, duke i quajtur ato “të paligjshme” dhe kërcënoi se do të merrte masa hakmarrëse.

“Rusia përsëri një kërcënim për Evropën”

Në fjalën e tij, Scholz-i e quajti Rusinë një kërcënim për Evropën dhe NATO-n. “Ajo kërcënon rendin ndërkombëtar”, tha kancelari gjerman. “Përmes politikës së saj agresive, Rusia përfaqëson një kërcënim për Evropën dhe Aleancën”.

Sipas tij, NATO-ja nxjerr përfundimet e duhura nga evoluimi i situatës botërore. “Kjo është arsyeja pse NATO-ja po forcon aftësinë e saj të mbrojtjes, veçanërisht me synimin për të garantuar sigurinë e anëtarëve të saj përgjatë krahut të saj lindor.”

30 vendet anëtare vendosën të mërkurën të rrisin numrin e ushtarëve në gatishmëri të lartë operacionale nga 40.000 aktualisht në 300.000. Përveç kësaj, do të vendosen më shumë armë të rënda, veçanërisht në Shtetet Baltike dhe në Poloni.

Ratifikimi i NATO-s fillon sërish këtë javë

Në samit, vendet e NATO-s vendosën gjithashtu të pranojnë Finlandën dhe Suedinë si anëtarë të rinj. Scholz-i tha se nuk priste që anëtarësimi i dy vendeve të tendoste më tej raportin e NATO-s me Rusinë. Presidenti Vladimir Putin “e regjistroi zgjerimin e afërt i paimpresionuar”, tha Scholz-i. Siç janë gjërat tani, nuk pritet asnjë përshkallëzim.

Gjermania do të nisë ratifikimin e anëtarësimit të dy vendeve këtë javë.

Quajtja nga Putini e NATO-s imperialiste është “qesharake”, shtoi Scholz. Aleanca është thjesht mbrojtëse. Përkundrazi është vetë Rusia që po vepron në mënyrë imperialiste.

Kancelari theksoi se një paqe e diktuar nga Rusia me Ukrainën nuk do t’i jepte fund sanksioneve perëndimore. Përkundrazi, Putini duhet t’i japë fund luftës menjëherë. Kjo është një “luftë e tmerrshme”, në të cilën vriten njerëz të pafajshëm dhe shkaktohen shkatërrime të mëdha. Dhe është një luftë që nuk ka kuptim as nga këndvështrimi i Rusisë, sepse shkatërron të ardhmen e vendit.

Njësi shtesë gjermane për mbrojtjen e kufirit lindor të NATO-s

Scholzi konfirmoi se Gjermania dëshironte të vërë në dispozicion të përhershëm për mbrojtjen e kufirit lindor të NATO-s një divizion të blinduar prej 15.000 ushtarësh, 60 avionësh dhe 20 njësi detare. Kësaj i shtohet edhe ngritja e një komande detare rajonale në Detin Baltik, tha ai. Këto forca do të vendosen sa më shpejt të jetë e mundur. Në fund të fundit, sulmi rus në Ukrainë tregoi se ne duhej të jemi gati./DW

 

Fraksion.com