“Përplasi foshnjen dhe çiftin kur po kalonin në vijat e bardha”; Lirohet nga qelia Ajas Sulejmani, gjykata e lë në ‘arrest shtëpie’
Ajas Sulejmani ka lënë qelinë. Ai ishte në burg pasi përplasi çiftin Konomi dhe foshnjen e tyre 3 mujshe teksa drejtonte automjetin e tij ‘G Class’ tek vijat e bardha në zonën e 21-Dhjetorit. Gjykata e Tiranës ka zbutur masën e sigurisë ndaj tij, nga arrest me burg në arrest shtëpie, duke vendosur që 39-vjeçari të hetohet nën masën e arrestit shtëpiak.
Në seancën mbajtur këtë të hënë togat e zeza të kryeqytetit pranuan kërkesën e Sulejmanit për masë më të butë sigurie edhe për shkak të normalizimit të mardhënieve mes palëve. Vendimi është dhënë nga gjyqtarja Rexhina Memlika ndërsa edhe prokuroria ka qenë dakord.
Arjan dhe Vilma Konomi, çifti që u aksidentua nga Ajas Sulejmani duke kaluar në vizat e bardha në “Rrugën e Kavajës” lanë spitalin rreth një muaj nga ngjarja. Avokati kërkoi masë më të lehtë sigurie për Sulejmanin me argumentin se nuk paraqet rrezikshmëri dhe se ka 3 fëmijë të mitur. Ai u largua nga vendi i ngjarjes fill pas përplasjes, por u arrestua më vonë në një klinikë private. Suljemani justifikoi largimin duke thënë se e bëri për vajzën e tij të vogel, që ndodhej me të në momentin që ndodhi aksidenti. Pas arrestimit, efektivët e policisë thanë se Sulejmani ishte nën efektin e lëndëve narkotike, por vetë ai e mohoi.
Sulejmani, nuk është një emër i panjohur për policinë, si brenda vendit ashtu edhe jashtë vendit. Drejtuesi i makinës luksoze me targa të gjermane, ishte shoqëruar edhe më herët në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim nga strukturat e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe pasi është verifikuar, është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor. Sulejmani ka qenë i shpallur në kërkim në vitin 2014 nga autoritetet amerikane, pasi akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike. Ende nuk dihet nëse Sulejmani e ka mbyllur këtë çështje me drejtësinë amerikane.
Fraksion.com