AktualitetPolitikëTë fundit

“Shikoni çfarë bëhet me çmimet”; Berisha: Front kombëtar në përballjen me regjimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha shprehu sot në diskutimin me shoqërinë civile dhe grupet e interesit, vendosmëri të përbashkët për t’u angazhuar në një lëvizje, e cila inaugurohet me protestën e 7 korrikut.

“S’ka asnjë vend në rajon që çmimet të kenë kapur, siç ka ndodhur me çmimet në Shqipëri, mbi 107 % të çmimit mesatar të BE-së”, tha Berisha.

“Edi Rama s’mund të tallet më me shqiptarët. Është e rëndësishme një front kombëtar i cili të përballet me një regjim”, theksoi më tej Berisha.

“Prania juaj dëshmon vendosmërinë e përbashkët për t’u angazhuar në një lëvizje e cila inaugurohet me protestën e 7 korrikut dhe finalizohet me shpëtimin e Shqipërisë nga një regjim, nga një qeveri e cila në mënyrë absolute siç e shikoni, në çdo vendim, në çdo akt dëshmon një mosndjeshmëri të plotë ndaj interesave të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.

“Një qeveri e cila nuk është një qeveri e cila përpiqet të zgjidhë, t’u japë përgjigje problemeve madhore të qytetarët të vendit dhe vendit në tërësi, por një qeveri e cila me vendimet e saj ngushton çdo ditë e më shumë lakun në qafën e qytetarëve të vendit tonë. Një qeveri e cila në rrafshin atdhetar, në rrafshin shqiptar vendos për t’i thënë jo ose po ftesës për në Bruksel duke mos përfillur asnjë institucion shqiptar as Presidencën, as Parlamentin, askënd, por na informon se u lidha me Aleksandër Vuçiç”, theksoi Berisha.

“Në fakt u lidh pasi mori vendimin. Një qeveri e cila shkon në Bruksel dhe absolutisht flet pesë herë më shumë për Serbinë sesa për Shqipërinë, kurse Kosovën e ka të ndaluar të thotë një fjalë të mirë për të apo të bëjë avokatinë e saj. Një kryeministër që sulmon në mënyrë të shpëlarë një vend mik, nga i cili në 32 vitet e fundit shqiptarët kanë pasur vetëm miqësi, me aq sa ka pasur në mundësitë e saj Bullgarinë. Dhe pse? Jo se Bullgaria ka penguar Shqipërinë, e vërteta është që Shqipërinë e ka penguar Edi Rama për hapjen e negociatave”, shtoi Berisha.

“Shikoni çfarë bëhet me çmimet. Çmimet këtu rriten si në asnjë vend tjetër. S’ka asnjë vend në rajon që çmimet të kenë kapur, siç ka ndodhur me çmimet në Shqipëri, mbi 107 % të çmimit mesatar të BE-së për ushqimet bazë. S’ka asnjë vend tjetër që nafta të ketë këtë çmim stratosferik si në Shqipëri. Të gjitha këto na e diktojnë bordet, që ky zotëria thotë që janë komuniste po janë të dobishme. Një klime mbytëse për biznesin, pasigurie të madhe. Një klimë e cila në qoftë se paketa fiskale që ai e avancon, se e thashë dhe një herë nuk merr asgjë parasysh për qytetarët. Me dhjetëra-mijëra biznese dhe profesionistë të profesioneve të lira do të lenë Shqipërime. U vendos një taksë që se përballon dot asnjë prej tyre. Të marrim rritjen e çmimeve. Ajo automatikisht çon inflacionin 29 % dhe jo inflacioni që thotë ai me tërësinë e tij. Sa janë rritur rrogat, sa janë indeksuar? Asgjë s’ka ndodhur përveç politikës së vjetër së shtrëngimit të rripit, që thuhej dikur. Në këtë kontekst përgjigja jonë është jetike. Në këtë kontekst reagimi i shoqërisë civile dhe personaliteteve të vendit, është i pazëvendësueshëm në betejën politike të PD-së dhe forcave të tjera politike. Kam kënaqësi të madhe që shoh sot këtu përfaqësues të diasporës. Është i domosdoshëm, është i një rëndësie shumë të madhe për këtë lëvizje mbështetja e diasporës dhe emigracionit. Kjo lëvizje ka si qëllim të vendosë për emigracionin dhe diasporën të drejtën e votimit. Të gjithë këta vëllezër motra, që janë sot në emigracion në diasporë, me ndihmat e përmuajshme dhe të përvitshme që u dërgojnë njerëzve të tyre janë aksionerë shumë të rëndësishëm në zhvillimin e këtij vendi në zhvillimin e kësaj shoqërie”, theksoi Berisha.

 

Fraksion.com