Rama: Zhvillimi në bujqësi, përmes dijes e inovacionit
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “bujqësia është gjithmonë e më shumë një fushë ku dija më e përparuar luan edhe rolin më të rëndësishëm për zhvillimin”.
Kryeministri Rama mori pjesë në konferencën për “Teknologjinë dhe Inovacionin në Bujqësi dhe Blegtori”, një takim ekspertësh shqiptarë e të huaj, me fermerët, agropërpunuesit, përfaqësues nga Shërbimi i Këshillimit dhe Qendrat e Transferimit të Teknologjive në vend, pedagogë dhe studentë nga Universiteti Bujqësor Tiranë, si dhe përfaqësues nga programet ndërkombëtare të ndihmës në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural në vend.
Rama vlerësoi rëndësinë e kësaj konference për të përcjellë eksperiencat më të mira në fushën e bujqësisë sonë, por për të përcjellë njëkohësisht edhe të gjithë informacionin e nevojshëm për mundësitë e financimeve, bashkëpunimeve dhe sinergjive të ndryshme.
“Është nder i madh dhe privilegj që ne të kemi në këtë rrugëtim disa njerëz të cilët janë pikërisht zotërues të një dijeje të posaçme. Falënderoj rektorin e universitetit të Vjenës, që na ka hapur dyert me shumë përkushtim nga ana e tij dhe pedagogëve atje, për të realizuar një kanal të rëndësishëm komunikimi dhe transferimi të dijes, mes një prej universiteteve më të vjetër dhe prestigjioz në botës dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës”, tha Rama.
Po ashtu, Rama vlerësoi ndihmën e qeverisë gjermane me instrumentet e saj të transferimit të dijeve dhe mbështetjes së komuniteteve që janë në rrugën e zhvillimit në këtë fushë.
Rama tha se “është privilegj që ne të kemi mbështetjen dhe gatishmërinë e qeverisë së Izraelit, përmes përfaqësuesit të saj këtu, ambasadorit, që është një person shumë i përkushtuar për të bërë më shumë në këtë drejtim, si dhe subjekteve nga Izraeli që janë në kontakt me vendin tonë”.
“Izraeli është mbase shembulli më domethënës për gjithë botën për të kuptuar se niveli i zhvillimit dhe niveli i mirëqenies dhe suksesit për të realizuar një zhvillimin që prodhon mirëqenie, nuk varet nga çfarë ke, por sa di. Shembujt janë të panumërt, por dua të sjell shembullin shumë domethënës të Izraelit që nuk ka ujë nga Zoti dhe natyra, por është vendi me sistemin më ekselent të furnizimit me ujë dhe ujitjes në bujqësi”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se “në mungesë të bollëkut të ujit siç e kemi ne, Izraeli ka investuar tek mendja, dija, informacioni dhe ka arritur të transformojë një mungesë të madhe në një burim zhvillimi të jashtëzakonshëm, duke e kthyer ujin e detit në ujë të ëmbël si për të pirë edhe për të ujitur”.
“Izraeli riciklon për ujitje të gjitha ujërat e zeza. Asnjë gjë në gjithë ciklin nuk shkon dëm, asnjë gram”, shtoi Rama.
Por kryeministri theksoi se edhe në bujqësinë shqiptare ka jo pak shembuj zhvillimi dhe suksesi përmes vënies së një vëmendjes të veçantë te dija.
Ai solli shembullin e njërit prej sipërmarrësve në bujqësi, i cili është përkushtuar në rrugën e dijes, së informacionit, inovacionit dhe marrjes së eksperiencave më të mira dhe bërjes së eksperimenteve prej të cilave ka mësuar dhe nxjerrë konkluzione dhe sot serrat e tij janë shembuj spektakolarë të ekselencës europiane.
Fraksion.com