AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Rama: Objektivi ynë, një miliard dollarë eksporte në bujqësi e peshkim

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në konferencën mbi “Teknologjinë dhe inovacionin në bujqësi dhe blegtori”, se objektivi i qeverisë është që të arrihet në një miliard dollarë eksporte të kombinuara, bujqësi dhe peshkim në këtë dekadë.

“Peshkimi sot është industri, ishte një sektor mjerimi dhe mbijetese me 20-22 milionë dollarë eksporte. Sot bazuar në shifrat e vitit të kaluar, jemi në 125 milionë dollarë dhe ambicia jonë dhe mundësitë janë që peshkimi të shkojë në 300 milionë dollarë. Dhe dihet botërisht që objektivi ynë është që të shkojmë në një miliard dollarë eksporte të kombinuara bujqësi, peshkim në këtë dekadë”, tha Rama.

Sipas tij, “me një miliard eksporte jemi një vend tjetër dhe hyjmë përfundimisht në bujqësinë sipërmarrëse në shkallë të gjerë”.

“Por na duhet të shtyjmë më shumë pikërisht aty ku adreson edhe titulli i këtij takimi, tek teknologjia, inovacioni. Këta njerëz që folën, të tjerë që janë këtu dhe nuk iu dha fjala se s’është e mundur apo të tjerë akoma që s’janë këtu fare janë kampionë të një bujqësie që po ndryshon pikërisht se besojnë tek inovacioni dhe besojnë tek teknologjia. Besojnë tek inovacioni që do të thotë jetojnë në mënyrë të përditshme me informacion. Po të shkosh të Josifi se po flas për Josifin mbase shumë gjatë dhe po i hap probleme, por po të shkosh atje, kam shkuar disa herë dhe tregimi fillon me çfarë po bëhet dhe vazhdon me çfarë do prishet aty dhe do ribëhet, pse? Sepse teknologjia ndryshon, s’është kështu? Kam qenë prezent në një serrë që po ta shikoje ajo ishte super, e gjitha do çmontohet dhe do ribëhet sepse do futet një teknologji tjetër dhe do rritet  prodhimi dhe sigurisht do kthehet dhe investimi”, shtoi ai.

 

Fraksion.com