AktualitetTë fundit

Putin: Rusia do të punojë për ‘normalizimin’ e Afganistanit

Rusia po punon në mënyrë aktive për të “normalizuar” situatën në Afganistan, deklaroi të martën Presidenti Vladimir Putin gjatë një vizite në Taxhikistanin fqinj, duke nënvizuar përgjegjësitë e Moskës në këtë rajon.

“Ne po bëjmë gjithçka për të normalizuar situatën (në Afganistan) dhe po përpiqemi të ndërtojmë marrëdhënie me forcat politike që kontrollojnë situatën”, tha Putin gjatë bisedimeve me presidentin e Taxhikistanit Emomali Rakhmon.

Por pikënisja e tyre ishte se grupet etnike të Afganistanit duhet të marrin pjesë plotësisht në drejtimin e vendit, shtoi ai, në komentet e transmetuara nga mediat ruse.

“Këtu, ju e dini më së miri… çfarë duhet bërë për të siguruar që situata në rajon, në këtë zonë ku ne kemi një përgjegjësi të përbashkët, të jetë e qëndrueshme dhe të mos kërcënojë askënd,” i tha Putini presidentit Rakhmon.

Ky është udhëtimi i parë i Putinit jashtë vendit që nga fillimi i operacionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt.

Rusia ka një bazë të madhe ushtarake në Taxhikistan, një nga aleatët e saj në rajon.

Taxhikistani ka një kufi 1200 kilometra të gjatë me Afganistanin dhe forcat taxhikistane përplasen rregullisht me kontrabandistët afganë të drogës.

Kthimi në pushtet i talibanëve në Afganistan gushtin e kaluar ka bërë që disa vëzhgues të druhen se Taxhikistani, shteti më i varfër nga ish-shtetet sovjetike, mund të destabilizohet.

Vendi mbetet ekonomikisht shumë i varur nga Rusia.

 

Fraksion.com