AktualitetBota+Të fundit

Mundësia e bojkotimit të samitit nëse merr pjesë Putin

Britania e Madhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e bojkotimit të një samiti të madh ndërkombëtar nëse merr pjesë edhe presidenti rus, Vladimir Putin.

Raportet nga Moska thanë se Kremlini kishte konfirmuar pjesëmarrjen e Putinit në samitin e G20 që do të organizohej nga Indonezia në nëntor.

“Kryeministri britanik, Boris Johnson mendon se Rusia duhet të përjashtohet diplomatikisht”, tha zëdhënësi i tij zyrtar.

Zëdhënësi tha se kryeministri Johnson do të diskutojë situatën me liderët e tjerë botërorë përpara samitit në Bali, nëse konfirmohet ftesa për Putinin.

Rusia mbetet anëtare e G20, një grup prej disa prej ekonomive më të mëdha në botë.

“Pjesëmarrja në G20 është një problem për mikpritësit, para së gjithash. Dhe ne do të shqyrtojmë me kujdes qasjen tonë. Me sa jam në dijeni, nuk mendoj se ata kanë konfirmuar përfundimisht pjesëmarrjen”, tha zëdhënësi i kryeministrit britanik.

I pyetur nëse ai nuk po përjashtonte një bojkot, zëdhënësi tha: “Për momentin, mendoj se ne do të konfirmojmë se cili është pozicioni jonë në lidhje me Rusinë dhe më pas do të shqyrtojmë se cili është veprimi i duhur”.

Në ngjarje të tjera ndërkombëtare ku Rusia është ftuar, ministrat dhe zyrtarët ose janë larguar ose kanë bojkotuar seancat ku ka folur përfaqësuesi i Moskës.

 

Fraksion.com