AktualitetNATO/BETë fundit

Stoltenberg: Forca e reagimit të shpejtë e NATO-s do të shtohet në mbi 300 mijë trupa

Numri i trupave të Forcës së Reagimit të Shpejtë të NATO-s do rritet në mbi 300 mijë, nga 40 mijë që është tani, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Në një konferencë shtypi të hënën në Madrid, ai tha gjithashtu se pret nga aleatët, që ta konsiderojnë Rusinë si kërcënimin më të madh të drejtpërdrejt ndaj sigurisë së aleancës. Ndërkohë, autoritetet spanjolle kanë shtuar masat e sigurisë në zonën e Madridit, ku këtë javë zhvillohet takimi i lartë i NATO-s.

NATO do të rrisë në mënyrë të ndjeshme numrin e trupave, që do të jenë në gjendje të lartë gatishmërie, tha sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

“Ne do të transformojmë forcën e reagimit të shpejtë të NATO-s dhe do të rrisim numrin e trupave të saj në mbi 300 mijë”, u tha ai gazetarëve para fillimit të takimit të NATO-s këtë javë në Madrid.

Forca e reagimit të shpejtë të NATO-s aktualisht përbëhet nga rreth 40 mijë trupa, të dislokuara në vendet e Evropës Lindore në përgjigje të sulmit rus ndaj Ukrainës.

Në takimin e Madridit, NATO gjithashtu do të ndryshojë gjuhën mbi Rusinë të përfshirë në dokumentin e saj strategjik të vitit 2010, në të cilin Moska konsiderohet një partner strategjik.

“Koncepti ynë i ri, do të na mbrojë në një epokë të konkurrencës strategjike. Pres që aleatët ta konsiderojnë në mënyrë të qartë Rusinë si kërcënimin më të madh të drejtpërdrejt ndaj sigurisë sonë”, tha zoti Stoltenberg.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha se do të takohet me udhëheqësit e vendeve të NATO-s, Turqisë, Finlandës dhe Suedisë të martën, para fillimit të takimit të Madridit, për të diskutuar kërkesat e dy vendeve nordike për anëtarësim në aleancë.

“Nuk do të bëjë premtime, por mund t’ju sigurojë se ne po punojmë për të arritur përparim në këtë drejtim”, tha zoti Stoltenberg.

Ndërkohë autoritetet spanjolle kanë shtuar masat e sigurisë në Madrid, rreth zonës, ku do të zhvillohen takimet e NATO-s. Dhjetë mijë oficerë policie nga agjenci të ndryshme spanjolle të sigurisë do të angazhohen në ruajtjen e sigurisë.

Inspektori i policisë spanjolle, Luis Lopez Blanco tha se jashtë ndërtesës së konferencave “IFEMA” janë dislokuar tashmë një numër i madh policësh për t’u kujdesur për sigurinë.

“Është një dislokim i madh ndërkombëtar dhe kombëtar, për të cilin ne po bashkëpunojmë me agjenci të tjera të sigurisë si Qendra Kombëtare e Inteligjencës, Qendra e Inteligjencës Ushtarake, Europoli dhe Interpoli. Ne të gjithë po punojmë për të njejtin qëllim, dhe do të punojmë edhe me organet e sigurisë të NATO-s, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë perfekte”, tha ai.

Rrugët kryesore të Madridit do të jenë pjesërisht të mbyllura gjatë takimit të NATO-s, nga 29 qershori deri më 30 qershor. Zyrtarët qeveritarë u kanë bërë thirrje banorëve që të qarkullojnë vetëm për nevojat e tyre dhe u kanë kërkuar kompanive që të lejojnë personelin e tyre të punojë nga shtëpia për të shmangur pengesat e mëtejshme.

 

Fraksion.com