Bllokimi i Bullgarisë, Borrell: Kanë kaluar 20 vjet për BP. Është në interesin tonë strategjik zgjerimi i BE-së
Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, njëherazi zëvendës president i Komisionit Evropian, mendon se vendimmarrja me unanimet në BE (vendosja e vetos) duhet ndryshuar. Kjo për shkak se sipas tij me vende unike që bllokojnë vendimmarrje të rëndësishme po cenohet rëndë besueshmëria e Bashkimit Evropian. Ky qëndrim i z. Borrel vjen disa ditë pasi dështoi Këshilli Evropian që të bënte Bullgarinë të hiqte veton ndaj Maqedonisë së Veriut, që penalizoi edhe Shqipërinë. Menjëherë pas këtij vendimi ishte Kryeministri Rama që kërkoi të ndryshojë mënyra se si BE merrte vendimet.
Borrell në shkrimin e tij të sotëm, të botuar në faqen zyrtare të Komisionit Evropian, shprehet se pas 2 vitesh e gjysmë eksperiencash duke u përballur me situata të tilla, është koha që të rishikohet procesi i vendimmarrjes.
“Gjatë viteve, ne kemi parë shumë raste kur shtetet anëtare ishin të ndara për çështje të politikës së jashtme. Dhe në parim është normale që ne kemi pikëpamje të ndryshme për të filluar, duke pasur parasysh dallimet tona në histori, gjeografi dhe kulturë strategjike politike. Por ajo që ka rëndësi në jetën politike nuk është se si nis një diskutim, por si përfundon ai. Fuqia e sistemit të BE-së ka qenë gjithmonë që disi t’i kthejë ndarjet në marrëveshje. Dhe këtu ka shumë rëndësi nëse një vendim merret me unanimitet apo me shumicë të cilësuar votash. Nëse vendet e dinë paraprakisht se vendimi përfundimtar mund të merret me shumicë votash të cilësuar, ato kanë një nxitje të fortë për të negociuar dhe për të formësuar konsensusin. Nëse ata e dinë se mund të bllokojnë gjithçka, nuk kanë një nxitje për të investuar në një kompromis të shëndetshëm”, shkruan përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë.
“Ne kemi parë dinamikë të ngjashme në hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, me një vend që bllokon atë që të gjithë të tjerët mund të bien dakord – përsëri me pasoja negative për besueshmërinë dhe ndikimin e BE-së”, vijon shkrimi i tij.
Sipas komisionerit Borrell vendet e Ballkanit Perëndimor, me të drejtë, kanë kërkuar që procesi i anëtarësimit të tyre të gjykohet sipas meritave të tyre.
“Kanë kaluar pothuajse 20 vjet më parë që BE-ja deklaroi në Selanik se “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda BE-së”, kështu që një shkallë e caktuar padurimi nga ana e tyre, për të thënë të paktën, është e kuptueshme. Zgjerimi i BE-së me ato vende që janë të gatshme dhe të aftë për të përmbushur kushtet nuk është një “favor” apo një lëshim. Është në interesin tonë strategjik”, shkruan ndër të tjera Joseph Borrell.
Fraksion.com