Zgjerimi i BE-së: Shfaqja e tre liderëve të Ballkanit Perëndimor
Këshilli Evropian përjetoi një moment antologjie: tre liderët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut lanë të lirë Bashkimin Evropian, i cili po i mban në pritje, shkruan Emmanuel Berretta në shkrimin e publikuar në gazetën franceze “Le Point”.
Ngjante si një shfaqje minimaliste e dhënë në një teatër të vogël xhepi. Dekori: tre tavolina pas të cilave tre burra qëndronin drejt si “i”, dy garderoba me pasqyrë, serbi Aleksandar Vuçiç (1,99 m), shqiptari Edi Rama (2,01 m) dhe në mes një burrë i hollë krahasuar me dy të parët, kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski.
Ata u larguan nga samiti i Ballkanit Perëndimor, pak pas orës 14:30 pa marrë asgjë të re. Më e keqja, shqiptari dhe maqedonasi, që prisnin hapjen e negociatave, mbetën të habitur në grackën e vetos bullgare ku partia në pushtet dhe opozita ia hedhin njëri-tjetrit përgjegjësinë për bllokimin e procesit.
Tre burra, tre pozicione: shqiptari Edi Rama, me shtatin e një tenori dhe një zë të thellë shekspirian, i afrohet tavolinës së tij, i lënduar, por krenar. “Më lejoni të shpreh trishtimin tim të thellë për Bashkimin Evropian,” thotë ai. Kthim i jashtëzakonshëm retorik nga një kryeministër i pakënaqur, i cili shpreh zhgënjimin dhe keqardhjen e tij që 26 liderë tregohen të pafuqishëm, kur vetëm një vend, këtë herë Bullgaria, bllokon fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.
Dhe, ky është fillimi i një aktakuze: “Thonë se Putini është shumë i sëmurë. Ndoshta Putini është shumë i sëmurë ose është mirë, por ajo që është e sigurt është se ky vend këtu nuk duket se është në formë të mirë”, thotë ai me të drejtë. Ai tregon se Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel u kishte dhënë tre minuta kohë secilit nga te tre për të paraqitur çështjet e tyre. “I thashë se tridhjetë sekonda do të kishin mjaftuar, nëse do të kishin bërë pjesën e tyre të punës, por nuk e bënë,” përgjigjet ai me nota proteste.
“Ne nuk do të presim Godonë” shton ai duke iu referuar Samuel Beckett (novelist, dramaturg dhe poet). Po, ishim në teatër dhe replikat ishin shkruar. Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç arritën të qetësojnë atmosferën duke i shtuar kësaj skene edhe pak nga Feydeau (dramaturg francez), duke u argëtuar, duke ngacmuar njëri-tjetrin, duke shkaktuar të qeshura mes gazetarëve në sallë aq të pamësuar të shohin liderët të mos përdorin zhargonin e zakonshëm.
Në të majtë të të madhit Rama, qëndron pa lëvizur para tavolinës qendrore fqinji i tij maqedonas me sytë e zgurdulluar dhe fytyrën e tij prej dylli, i skuqur nga zemërimi dhe përpiqet të mos e japë veten. Fjalimin e mbajti thuajse mekanikisht, fillimisht në gjuhën amtare, më pas në anglisht (më shumë se 6 minuta çdo herë) jo pa shkaktuar pak padurim te Edi Rama. “Kjo që po ndodh tani është problem serioz dhe goditje e rëndë për besueshmërinë e Bashkimit Evropian”, akuzon maqedonasi.
Serbia, mes Putinit dhe Perëndimit
Thelbi i konfliktit midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut është në vetvete i vështirë për t’u kuptuar për lexuesit perëndimorë: Bullgaria sfidon fqinjin e saj maqedonas me pretendimin se nuk ka identitetin e vet (po ishte ndërtuar artificialisht në kohën e regjimit sovjetik), se nuk ka gjuhën e vet (por përdor vetëm një dialekt bullgar).
Për më tepër, në Maqedoni ka edhe një minoritet bullgar, të cilit Sofja pret që t’i jepet mbrojtja e duhur. Franca mori nga Maqedonia e Veriut zotimin për të bërë ndryshime në Kushtetutën e saj në mënyrë që të merrte parasysh të drejtat e kësaj pakice. Dimitar Kovachevski përmend “sakrificat” e “përpjekjet” e popullit të tij për të arritur standardet e BE-së. “Dhe ne jemi gati t’i bashkohemi familjes në të njëjtën mënyrë siç kanë bërë të gjithë deri më tani me respekt të ndërsjellë mes nesh,” përfundon ai.
Në të djathtën e tyre, serbi Vuçiç përkul trupin e tij shtatlartë, në një qëndrim prej seminaristi Sulpician: ai mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Evropian për t’u qortuar nga 27 vendet e BE-se për shkak të njohjeve të tij me Vladimir Putin. Ai nuk priste asgjë, përveç goditjeve, listave të zeza, predikimeve dhe mori pjesën që i takonte. Pyetjet i dinte paraprakisht: pse nuk i zbaton sanksionet evropiane? A do të vendosë më në fund të orientohet nga Bashkimit Evropian? Sekuenca ishte e dhimbshme për Aleksandër Vuçiçin dhe ai nuk e fsheh: “Nuk ishte momenti më i këndshëm. »
Udhëheqësi serb tenton ta marrë këtë çështje me filozofi dhe me zërin e ulët të një famullitari që do të rrëfehet, pëshpërit:
“Jam kritikuar shumë për qëndrimin tonë ndaj Ukrainës dhe Rusisë. I premtova partnerëve tanë se do të vazhdojmë rrugën tonë drejt sundimit të ligjit dhe demokratizimit. Shpresoj që të jemi me humor më të mirë dhjetorin e ardhshëm”, përfundon ai me pamjen prej hipokriti. Natyrisht, Serbia ka votuar për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Megjithatë, Beogradi nënshkroi, në fillim të qershorit, një marrëveshje të favorshme për dërgimin e gazit rus për tre vjet, në kundërshtim me politikën e sanksioneve të udhëhequr nga BE-ja…Vuçiç, ashtu si fqinji dhe miku i tij Viktor Orban, përpiqet të ruajë dhinë dhe lakrën nga frika e një dimri të ashpër.
Vuçiç ankohet për dezinformim nga perëndimorët
Presidenti serb këmbëngul në unitetin e vendeve të Ballkanit Perëndimor (iniciativa Open Balkan) duke patur parasysh faktin se ato kanë filluar të krijojnë një zonë të tregtisë së lirë mes tyre pa u sugjeruar kjo ide nga Viktor Orban apo Vladimir Putin, siç pretendon se thuhet në shtypin perëndimor. Për më tepër, ai numëroi artikujt që i konsideron të pavërtetë që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë.
“Ka 2629 artikuj, në mos gaboj, që pretendojnë që nga fillimi i agresioni rus se Serbia rrezikon Ballkanin Perëndimor, vendos trupa, kërcënon sovranitetin e Bosnjës apo të Kosovës, apo të ashtuquajturës Kosovë, pak rendësi ka se si e quani ju. Por, asgjë nuk ndodhi. A keni parë të kërkohet falje një herë të vetme? Aleksandar Vuçiç më në fund ulet dhe fryn gjoksin e tij të gjerë për të thënë se vendi i tij ka shumë më tepër besim tek ai sesa kishte disa vite më parë. Por, ai tregohet i durueshëm me BE-në pasi vendi i tij ka avancuar më shumë në rrugën drejt anëtarësimit.
Kaq shumë pritje, 3 vjet për Shqipërinë, 17 vjet për Maqedoninë e Veriut dhe ende asnjë përparim për hapjen e negociatave. Kjo do të thotë se nëse perspektiva e anëtarësimit duket e largët, madje e paarritshme, frustrimi dhe ndjenja e poshtërimit janë të dukshme. Le të shtojmë se Charles Michel dhe von der Leyen anuluan konferencën për shtyp që do të mbahej pas samitit të Ballkanik Perëndimor. Një heshtje elokuente. Çfarë të thuash, në të vërtetë, apo të pranosh një dështim të tmerrshëm sepse Bullgaria edhe një herë bllokoi çdo zhvillim?
“Imagjinoni që Franca të ndryshojë emrin e saj për t’u bërë anëtare”
Madje Maqedonisë iu desh të ndryshonte emrin nën presionin e fqinjëve grekë që kërkuan të shtohej “e Veriut”, sepse Maqedonia “e vërtetë” nuk mund të jetë vetëm një rajon grek… Dhe Shkupi e përmbushi këtë kërkesë, e cila daton në vitin 1991. “Imagjinoni që Franca të ndryshojë emrin për t’u bërë anëtare, apo Italia”, nënvizon Edi Rama, i cili denoncon “ mendje e shtrembëruar” që kryeson zgjerimin e Bashkimit Europian. “Ne kaluam nga një vizion i përbashkët në një mekanizëm që merret peng nga shtetet anëtare. Është e vërtetë që secili e bëri në radhën e vet: Franca e Emmanuel Macron bllokoi Shqipërinë në tetor 2019, grekët bllokuan Maqedoninë për një kohë të gjatë. Më pas, bullgarët vendosën veton ndaj Maqedonisë së Veriut. Në tetor 2019, Këshilli u nda, disa vendosën të mbështesin Maqedoninë, të tjerë Shqipërinë. Shtete të tjera u fshehën pas vetos së Francës për të mos u dukur si të inatosur nga shërbimi…
Qëkur qytetarët e Kosovës kanë fituar lirinë, çlirimtarët e tyre mbahen peng. Ata nuk mund të lëvizin. Kjo është çmenduri! Është turp ! Dhe kjo duhet të marrë fund.
Edi Rama ka shfrytëzuar rastin për t’u shprehur si avokat i kosovarëve. “Në Evropë po ndodh një tjetër -rrëmbim-, ai i qytetarëve kosovarë që nuk lejohen të lëvizin lirshëm në Evropë. Ata janë të vetmit në Evropë. E merrni dot me mend, kur ishin nën zgjedhën e një diktatori jugosllav, ata mund të udhëtonin, të shkonin në Gjermani, Zvicër, kudo dhe mund të punonin atje. Qëkur kane fituar lirinë, çlirimtarët e tyre mbahen peng. Ata nuk mund të lëvizin. Kjo është çmenduri! Është turp ! Dhe kjo duhet të marrë fund ».
Megjithatë, ka një gjë pozitive: tre liderët ballkanikë vlerësuan propozimin e Presidentit Macron për të krijuar një “Komunitet Politik Evropian” (CPE), si një forum për bashkëpunim të menjëhershëm që sjell përfitime, përfshirë aspektin e sigurisë, pa pritur anëtarësimin. Por, sigurisht me kusht që CPE të mos bllokojë progresin drejt anëtarësimit të plotë dhe të gjithanshëm në BE. Por kur ? Duke pritur Godonë… /JavaNews
Fraksion.com