AktualitetBota+Të fundit

Rëndësia strategjike e bazës ajrore “Eielson” në Alaskë

Ndërsa agresioni rus në Ukrainë ka hyrë në muajin e katërt, më shumë trupa amerikane janë nisur drejt Evropës për të mbrojtur krahun lindor të NATO-s. Por kërcënimi në rritje nga Rusia dhe Kina ka bërë që Uashingtoni të përqendrohet jo vetëm në lindje, por edhe në veriun e largët. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, ishte në shtetin e Alaskës, nga ku na sjell një reportazh ekskluziv mbi transformimin prej disa miliarda dollarësh të bazës së largët të forcave ajrore “Eielson”.

Aeroplani F-16 ngjitet në qiellin e Alaskës. Gazetarja e Zërit të Amerikës është ulur në vendin e pilotit të dytë të avionit luftarak të forcave ajrore amerikane. Alaska shënon kufirin verilindor të Shteteve të Bashkuara. Për momentin, avioni po fluturon më shpejt se shpejtësia e zërit.

Nga dritarja shihet një avion i tipit F-35, modeli më i ri që nuk zbulohet nga radarët. Velloja e dëborës mbulon majat e larta. Mali Denali, më i larti në Amerikën e Veriut, duket se po gërvish qiellin.

Piloti, majori Lloyd Wright, me nofkën e luftës “Bond”, ka fluturuar mbi këto male për shtatë vitet e fundit.

“Kam fluturuar në shumë vende të botës dhe kjo është hapësira ajrore më e bukur në të gjithë planetin. Një thesar kombëtar”, thotë majori Wright.

Por avionët luftarakë amerikanë nuk janë këtu për pamjet. Ushtria e quan strategjike këtë hapësirë ajrore. Sapo kemi mbërritur në Rrethin Arktik. Nga këtu, avionët luftarakë mund të kapin çdo cep të hemisferës veriore.

Koloneli David “Ajax” Berkland, komandant i bazës Eielson, tregon për Zërin e Amerikës se përse Alaska është një pikë kaq strategjike.

“Është e vështirë ta kuptosh duke parë një hartë normale që e vendos Alaskën në krye të hartës. Po ta shikosh në një glob, bëhet shumë e qartë se sa afër jemi me çdo gjë në hemisferën veriore”.

Evropa ndodhet përtej Oqeanit Arktik. Alaska kontinentale ndodhet më pak se 100 kilometra nga Rusia dhe Azia është në anën tjetër të Paqësorit, thotë komandanti i bazës David “Ajax” Berkland.

“Jemi më afër Indo-Paqësorit sesa ata që janë në Hawaii”.

Ndërkohë është shtuar droja për veprime ushtarake nga Kina dhe Koreja e Veriut. Vite më parë, Departamenti i Mbrojtjes shqyrtoi mundësinë e mbylljes së bazës “Eielson”.

“Pentagoni argumentoi se baza kishte kosto të lartë si rezultat i mjedisit dhe klimës në Alaskë. Përfundimisht, ata propozuan një riorganizim madhor”, thotë për Zërin e Amerikës Seamus Daniels me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Alaska ka hapësirë ajrore më të madhe se sa Florida dhe baza ishte parashikuar të mbyllej”.

Senatori i Alaskës, Dan Sullivan, thotë për Zërin e Amerikës se banorët e qytetit Fairbanks, pranë bazës “Eielson”, ngritën zërin. Kështu veproi edhe një komision i pavarur i ngritur për të vlerësuar ndryshimet e propozuara nga Pentagoni.

“Studimi gjeti se mbyllja nuk sillte kursimet e pritshme. Komisioni gjithashtu argumentoi se baza ajrore “Eielson” ishte e rëndësishme sepse ka rreze dhe shfrytëzim të gjerë ajror”, thotë analisti Seamus Daniels.

Pas zvogëlimit, baza nuk pati rezultatet e duhura. Forcat Ajrore bënë një kthesë 180 gradë, duke urdhëruar skuadronin stërvitor të avionëve F-16 të qëndronin në gatishmëri. Ndërkohë, në vitin 2016 vendosi të shtonte praninë ajrore me dy skuadrilje të avionëve luftarakë F-35.

Gjashtë vjet dhe 54 avionë të tipit F-35 më vonë, “Eielson” është një bazë luftarake në gatishmëri për veprime luftarake në çdo moment.

Këta avionë luftarakë kanë një vlerë prej rreth 5 miliardë dollarësh. Pentagoni ka shpenzuar 600 milionë dollarë shtesë për të ndërtuar më shumë pista, hangarë, depozita karburanti si dhe shumë përmirësime për të strehuar avionët dhe personelin.

“Baza gumëzhin. Ka vetëm 20 minuta në ditë kur nuk ka avionë që fluturojnë këtu”, thotë majori Lloyd “Bond” Wright.

Dy avionët e fundit erdhën në prill. Pikërisht në kohën e duhur, thotë Senatori Dan Sullivan, për të frenuar manovrat politike të Rusisë.

“Ata (rusët) kanë zhvilluar misione me avionë bombardues. Ne kemi reaguar me avionët e tipit F-22 duke zbuluar avionët rusë, ndoshta më shumë se çdo herë tjetër, që nga mesi i viteve 1980. Ata janë treguar shumë agresivë këtu, dhe sipas meje, e vetmja gjë që Putini dhe Xi Jinping kuptojnë, në këtë epokë të re të agresionit autoritar, është forca”.

Baza ajrore “Eielson” në Alaskë, ka tashmë më shumë se 100 avionë luftarakë të tipit F-35 dhe F-22 të gjeneratës së pestë, të gatshëm për çdo gjë, duke e bërë atë fuqinë ajrore më speciale në botë./voa

 

Fraksion.com