AktualitetPolitikëTë fundit

Rama nga Austria: Bullgaria, shprehja finale e frymës së deformuar të zgjerimit

Gjatë vizitës që po zhvillon në Austri, kryeministri Edi Rama ishte i ftuar bashkë me kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, në Forumin Evropian Wachau për temën “Ruajtja e së ardhmes së Evropës dhe zgjerimi i BE”.

Në fjalën e tij në këtë Forum, Rama u shpreh se, “dje parlamenti bullgar votoi për diçka që shpresoj do të jetë mjaftueshëm për miqtë tanë të Maqedonisë së Veriut. Por dua të theksoj se kjo nuk lidhet vetëm me Bullgarinë. Bullgaria është vetëm shprehja finale e skajshme e frymës së deformuar të zgjerimit. Ka diçka më të thellë që është humbur dhe që duhet rikuperuar shpejt”, u shpreh Rama.

“Të gjithë dëgjojmë që Vladimir Putin është shumë i sëmurë. Mund të jetë e vërtetë, mund të mos jetë e vërtetë, por nga ana tjetër nuk duket sikur BE-ja është shumë e shëndetshme. Dhe se hapësira jonë është e mbrojtur mirë nga ajo çka mund të vijë”, tha Rama.

“Dëgjova një prej miqve francezë këtu që përsëriste se Vladimir Putini ka bërë të kundërtën e asaj çka kërkonte duke përbashkuar Evropën, duke sjellë bashkë NATO-n. Të gjitha këto gjëra që i kemi dëgjuar qysh ditën e parë. Por është shumë herët për t’u thënë mendoj. Nuk duket sikur dimri i ardhshëm do të jetë i lehtë dhe nuk duhet ta marrim këtë bashkim të mirëqenë. Nuk duhet ta marrim të mirëqenë cakun e durimit të opinioneve publike në perëndim, përkundrejt cakut të durimit, që as nuk ekziston, në Rusi”, theksoi Rama.

“Po flisnim dje me drejtorin. Problemi është se sa më shumë njerëzit kanë aq më pak janë të prirur që të heqin dorë qoftë edhe nga diçka e vogël. Kjo pjesë e botës është shumë e pasur. Dhe t’u thuash njerëzve të pasur, komuniteteve të pasur, që na duhet të durojmë inflacionin e lartë, çmimet e larta sepse një gjë shumë e rëndësishme është në lojë, është më e lehtë ta thuash se ta bësh, sinqerisht”, tha Rama.

“Por ç’mund të them nga ana tjetër. Në cepin tonë të botës. Dhe meqë ra fjala, ajo anë e jona e botës është e rrethuar nga kufijtë e BE-së. BE është realiteti i vetëm gjeografik në historinë e hartave që ka dy kufij. Një të brendshëm dhe një të jashtëm, në mes është kjo copëz bote që quhet Ballkan, për të cilin besoj se Austria është mes të paktëve që ka një ide shumë të qartë e që ka një vizion krejt të sigurtë, që pavarësisht çështjeve të brendshme, Austria kurrë, kurrë nuk e ka tradhtuar. Nuk vlen e njëjta gjë për të tjerët”, u shpreh Rama.

“Kështu që ajo që ndodhi me Bullgarinë, ishte simboli sesi zgjerimi është transformuar në një mjet për të marrë peng shtetet e tjera për hir të problemeve të brendshme”, theksoi Rama.

 

Fraksion.com