Bullgaria heqj veton për Shkupin, dritë jeshile Shqipërisë
Parlamenti i Bullgarisë më në fund ka miratuar propozimin e Presidencës franceze të Këshillit të BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
Mediat bullgare shkruajnë se kjo është arritur përmes një projektvendimi të dorëzuar nga bashkëkryetari i “Bullgarisë Demokratike” Hristo Ivanov, në të cilin thuhet se Bullgaria do të mbështesë çdo hap të procesit të integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut në specifikimin e kornizës negociuese dhe konkluzioneve të këshillit.
Kuvendi i Bullgarisë ka ndryshuar kështu një rezolutë të miratuar një vit më parë ku impononte veton dhe tashmë ccështja i ka kaluar Qeverisë bullgare.
Pas më shumë se katër orësh debati, projektvendimi u miratua me 170 vota pro (“Vazhdojmë ndryshimin”, “Bullgaria Demokratike”, GERB dhe MRF), 37 “kundër” (“Ka një popull të tillë”, ” Vazrazhdane”, katër nga BSP dhe dy të pavarur) dhe 21 abstenime (BSP, një nga “Vazhdojmë ndryshimin” dhe dy deputetë të pavarur).
Fraksion.com