AktualitetPolitikëTë fundit

“Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju”, Baker: Marrëdhëniet SHBA-Shqipëri ndër më të fortat

“Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju”! Tridhjetë e një vjet më parë, në 22 qershor 1991, Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i Shteteve të Bashkuara, i cili vizitonte Shqipërinë në pothuajse gjysmë shekulli dhe dëshmonte festimin e lirisë në vend nën demokracinë e re.

Përballë qindra mijëra shqiptarëve në sheshin Skënderbej në Tiranë, ai i siguroi ata se, “Liria funksionon”.

Në 31-vjetorin e asaj dite dhe në 100-vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, ish-Sekretari i Shtetit James Baker dërgoi një mesazh të veçantë për të gjithë shqiptarët.

“Marrëdhënia e Amerikës me Shqipërinë, në shumë mënyra, është një nga më të fortat që vendi im ka. Ajo marrëdhënie, sigurisht, bazohet në besimin e palëkundur dhe bindjen në idealet demokratike që udhëheqin të dyja vendet tona”, u shpreh Baker në videomesazhin e tij.

“Si amerikanët ashtu edhe shqiptarët mbështesin vetëqeverisjen ndaj dorës së fortë të autoritarizmit. Këtë e them me bindje, sepse isha personalisht dëshmitar sesi Shqipëria e festoi lirinë më 22 qershor 1991. Atë ditë unë u bëra zyrtari i parë i lartë amerikan, i cili vizitonte Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit të detyruar të vendit, që filloi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdoi deri në fund të Luftës së Ftohtë”, theksoi Baker.

“Teksa qëndroja në Tiranë mbi një skenë të improvizuar prej druri, përpara 300 mijë shqiptarëve, u mallëngjeva sesi njerëzit e mbledhur iu përgjigjën fjalëve të mia të thjeshta: “Liria funksionon”. Ata u përgjigjën “USA, USA, USA”!, nënvizoi Baker.

“Që nga ajo kohë, marrëdhëniet midis Amerikës dhe Shqipërisë janë forcuar dhe kanë përparuar. Shqipëria ka pasur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për hapjen e ekonomisë së saj dhe për të ofruar mundësi për të gjithë qytetarët e saj, ndërsa Amerika ka pasur një aleate të palëkundur në përpjekjet për siguri rajonale dhe globale, sidomos si një anëtare e fortë e NATO-s. Marrëdhënia jonë është veçanërisht e rëndësishme gjatë kërcënimit të tanishëm kundër Ukrainës”, tha Baker.

“Në 100-vjetorin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, dua t’ju uroj për përparimin që Shqipëria ka bërë drejt ndërtimit të një bote më të mirë dhe më të sigurtë për veten dhe fqinjët e saj. Mbi të gjitha dua t’i përgëzoj që janë të përkushtuar ndaj besimit se liria vërtetë funksionon”, përfundoi Baker.

 

Fraksion.com