AktualitetPolitikëTë fundit

Celibashi: Duhen ndryshime ligjore, raportimi financiar i partive aktualisht formal

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se, sot raportimi financiar i partive politike është thuajse formal, teksa theksoi se nevojiten ndryshime ligjore për një sërë çështjesh.

Në fjalën e tij në tryezën “Integriteti dhe besimi në zgjedhje në Shqipëri: Koha për një hap përpara në transparencën e financimit politik”, Celibashi u shpreh se,  “do të ketë gjithmonë vend për të diskutuar dhe për të debatuar për financimet e partive politike në fushatat zgjedhore apo në tërësi të raportit të politikës me paranë. Është e sigurt që ky lloj debati nuk do të ketë fund asnjëherë, nuk do të ketë fund edhe atëherë kur ne mund të mendojmë se ky aspekt i jetës ekonomike dhe politike të vendit do të jetë i plotë dhe shumë i qartë, i rregulluar në çdo pikëpamje. Kjo për faktin logjik se në çdo rast zhvillimet ekonomike, politike dhe sociale dhe në rastin kur janë në të mirën e tyre më të mundshme ka nevojë për përshtatshmëri, qoftë të kuadrit rregullator, por në tërësi të gjithë sistemit të financimit të partive politike, të fushatës zgjedhore apo në përgjithësi të veprimtarisë politike në vend, të subjekteve të ndryshme”.

“Pikëpamja jonë është se në përgjithësi çështja e financimit të partive politike apo dhe fushatave zgjedhore në Shqipëri është e rregulluar.,Është e qartë se nuk ka qenë kështu gjithmonë, por ajo ka ardhur në standardin ku ne jemi sot nëpërmjet ndryshimeve të vazhdueshme. me ndryshimet e bëra në fund të vitit 2020, të paktën formalisht, kuadri rregullator mbi financimet e partive politike dhe fushatave, mund të konsiderohet i plotë në kuptim të kush i financon partitë dhe fushatat e tyre? pra kush ka të drejtë t’u japë para atyre? Cilat janë limitet e financimit dhe ndalesat? Dhe cili është organi përgjegjës për kontrollin, mbikëqyrjen e financimit dhe si realizohet ky proces?. Sipas legjislacionit tonë në fuqi partitë politike dhe kandidatët mund të marrin financime vetëm  nga personat fizikë juridikë vendas, jo publikë, nga buxheti i shtetit si dhe nga aktiviteti i vetë partive politike. Legjislacioni ynë e ndalon financimin nga shtete të huaja apo nga persona juridikë ose fizikë të huaja. Në legjislacion janë të përkufizuara edhe kufizimet në lidhje me masën e financimit”.

Celibashi shtoi se, “bazuar më së paku në një perceptim të fortë e të gjerë publik, duket se nuk ka një transparencë të plotë se kush financon kë, sa dhe si. ndaj ngelet pyetja. A ka vend për përmirësime të mëtejshme të këtij sistemi? KQZ mendon se po. Më së pari mendoj se vetë kuadri rregullator ligjor ka nevojë për plotësime dhe qartësime në lidhje me financimin e partive dhe të fushatave”.

Celibashi u shpreh se, “Ka ardhur koha që të rregullohet dhe financimi i të ashtuquajtura palë të treta, pra i subjekteve të ndryshme jo politikë, jo kandidatë, të cilët nuk marrin pjesë direkt në fushatë zgjedhore, por angazhohen në një mënyrë ose një tjetër në to”.

Gjithashtu, shtoi Celibashi, “mendojmë se ka ardhur koha, madje ka kaluar koha mund ta themi me siguri, që duhet të përfshihen në monitorimin dhe financimin për partitë në fushatat e tyre edhe shpenzimet në medien e shkruar, rrjetet sociale dhe në përgjithësi në internet apo në mjete të tjera të komunikimit veç medieve klasike radiove dhe televizionit”.

“Sot raportimi i partive politike është thuajse formal dhe monitorimi dhe verifikimi nga KQZ i këtyre raportimeve mbetet vetëm në kuadrit formal dhe sipërfaqësor të vetëm asaj çfarë vetë partitë raportojnë. KQZ nuk ka sot thuajse aspak autorizime ligjore për të shkuar më thellë në vërtetimin e përmbajtjes së raporteve që paraqiten nga partitë politike”, tha ai.

Celibashi shtoi se, “ndryshimet në tërësi të kuadrit rregullator ligjor në Shqipëri duhet të përfshijnë jo vetëm kodin zgjedhor, por më së pari dhe ligjin për partitë politike. Kështu mendoj se partitë duhet të kenë detyrimin që në mënyrë periodike të bëjnë publike në radhë të parë për anëtarësinë e vetë dhe më pas për gjithë të tjerët çdo gjë që ka të bëjë me paratë që marrin dhe ku i shpenzojnë këto para’. Perceptimi ynë është që edhe brenda vetë partive politike ka pak transparencë ndërmjet partive, institucioneve administruese të buxheteve të një partie politike dhe anëtarësisë në lidhje me paratë”

“KQZ ka qenë e detyruar që të bëj auditimin e një numri të madh të regjistruar në regjistrin e partive politike në gjykatën e Tiranës. Janë rreth 131 parti politike të regjistruara në ëktë regjistër. për më shumë se 50% të tyre nuk ka asnjë informacion në lidhje me adresat, kryetarin e partisë apo organin drejtues, të cilat të jenë të pasqyruar në këtë regjistër. Ligji për partitë politike duhet të ofrojë një zgjidhje për këto rrethana. partitë duhet të jenë të detyruara me ligj që nëse ndryshojnë adresë duhet të jenë të detyruara me ligj të informojnë KQZ. Mos përmbushja e këtij detyrimi nga ana e një partie të caktuar duhet ta penalizojë atë deri dhe në mos regjistrimin në zgjedhje”, u shpreh Celibashi.

“Janë rreth 80 parti nuk kanë marrë pjesë në të paktën 4 zgjedhjet e fundit. Këto por edhe shumë të tjera nuk kanë përfituar fonde publike. Prej kohësh nuk ka gjurmë të tyre në aktivitetin politik. Pra duket se këto parti realisht nuk ekzistojnë, Në vlerësimin tone ligji duhet të ndryshojë për të vendosur në këtë rast prioritete lidhur me kontrollin financiar të partive nga KQZ. Partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet e fundit domosdoshmërisht duhet t’i nënshtrohen kontrollit dhe verifikimit financiar”, tha Celibashi.