Liderët e “Ballkanit të Hapur” pritet të vendosin nëse do të shkojnë në Samitin e BE-së
Liderët e vendeve pjesëmarrëse të “Ballkanit të Hapur” thanë se të mërkurën, do të njoftojnë nëse do të shkojnë në Samitin Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet më 23 qershor në Bruksel.
“Pas konsultimeve me qeveritë dhe këshilltarët tanë, jemi marrë vesh që nesër në mesditë ta tregojmë vendimin tonë nëse do të marrim pjesë në këtë tubim”, ka shkruar presidenti serb Aleksandar Vuçiq në Instagram.
Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë ftuar në Bruksel në ditën e parë të Samitit të Liderëve të BE-së, që do të mbahet më 23 dhe 24 qershor.
Vuçiq tha se pjesëmarrjen në samitin e ardhshëm të BE-së e ka diskutuar në mëngjes me video-lidhje me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski.
“Kemi shkëmbyer gjithashtu mendime për hapat e ardhshëm të nismës sonë Ballkani i Hapur – panairi i verës, i cili do të mbledhë verëtarët më të mirë nga rajoni, si dhe për takimin e ardhshëm, ku do të diskutojmë çështje të shumta me interes për qytetarët tanë”, tha Vuçiq.
“Së bashku po luftojmë për një perspektivë të qartë të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunim edhe më të fortë dhe lidhje më të mira”, shtoi presidenti serb.
Në samitin e 23 dhe 24 qershorit, liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të marrin këtë javë në konsideratë aplikimet për statusin e vendit kandidat të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjerogjisë./rel
Fraksion.com