AktualitetPolitikëTë fundit

“Do e rrëzoj qeverinë e Kurtit në shtator”, Ali Ahmeti zbardh bisedën në samitin e Ohrit: Çfarë deklaroi Rama

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka komentuar deklaratat dhe aludimet që janë bërë në lidhje me kryeministrin Edi Rama, i cili thuhet se gjatë samitit të “Open Balkan” në Ohër ka deklaruar se do ta rrëzojë nga pushteti në shtator Albin Kurtin.

Ai Ahmeti zbuloi për emisionin Pressing detaje nga biseda e zhvilluar pa praninë e kamerave në Ohër. Ai pohon se një temë për rrëzimin e Kurtit, nuk ka qenë kurrsesi bisedë e tavolinës.

“Jo asesi. Kjo s’ka qenë fare bisedë”, tha ai. Në vijim të intervistës ai tregon se me kryeministrin Rama ka biseduar për atë se si duhet t’u bëhet e ditur autoriteteve në Kosovës qëllimet e iniciativës së Ballkanit të Hapur.

“Veç Edi Rama ka shprehur shqetësim para meje se si të afrohemi me autoritet në Kosovë që të shpjegojmë gjërat me mirë dhe të kthjellojmë gjërat ma mirë. Jo të imponueshme, por të sqarueshme. Iniciativa nuk është obliguese për palët. Mali i Zi dhe Bosnja ishin si vëzhguese. U nënshkruan marrëveshje me rëndësi. Ndërtimi i Urës së Bunës. Njohja e diplomave mes Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë. Nuk është punë e vogël. Sa telashe kemi me shqiptarët e Preshevës të cilët përfundojnë universitetin në Kosovë. Po ç’ka humb Kosova nëse e merr pjesë në iniciativë me flamur të vetin. Merr pjesë si e barabartë. E barabartë në mesin e të barabartëve. I pranon marrëveshjet e leverdishme. Nuk i pranon ato që nuk i konvenojnë. Nuk kam dëgjuar asnjë argument të vlefshëm. Thonë se Serbia do ta dominojë tregun. Por në Serbi janë krejt investime të huaja vëlla. Investimet të huaja gjermane, franceze, turke e kështu me radhë”, pohoi Ahmeti.

 

 

Ndër të tjera, Ahmeti e cilësoi Edi Ramën si patriot të madh që punon për interes të shqiptarëve. “Edi Rama nuk punon për interesa të Serbisë. Ai punon për interesa të Shqipërisë. Edhe kushtetuta e obligon të punojë për shqiptarët. Ai është patriot i madh. Integrimi i Kosovës është në të mirë të Shqipërisë. Çdo përparim i Kosovës është në të mirë të Shqipërisë. Nuk ka dyshim. Edhe ai që vjen pas do të punojë në interes të mirë të Kosovës dhe shqiptarëve”, përfundon ai.

 

Fraksion.com