Çështja e Butrintit, Meta: E papranueshme logjika që për pasuri të tilla shteti të heqë dorë nga çdo përgjegjësi
Presidenti Ilir Meta ka dalë sot para mediave për të folur për çështjen e Butrintit. Presidenti Meta tha se është e papranueshme logjika që për pasuri të tilla si Butrinti, me rëndësi historike, shteti të heqë dorë nga çdo përgjegjësi.
Ai bëri apel për që kjo çështje të marrë kohën e nevojshme dhe të trajtohet me kujdesin maksimal nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Parku Kombëtar i Butrintit është një pasuri e paluajtshme e regjistruar në listën botërore të UNESCO-s. Sipas konventës së Parisit, përgjegjësia mbi këto objekte nuk mund të kalojë në OJF, por mbetet te shteti.
Shteti nëse do të aplikojë këtë formë të re administrimi nëpërmjet një fondacioni, duhet të ruante rolin e tij.
Presidenti i Republikës nuk është kundër formave të bashkëpunimit shtet-privat, aq më pak me Fondin Shqiptaro Amerikan, por është e papranueshme logjika që për pasuri të tilla si Butrinti, me rëndësi historike, shteti të heqë dorë nga çdo përgjegjësi.
Nëse qeveria sot deklaron sot mosgarantimin në perspektivë të vlerave si mund ta garantojë atë me një pjesëmarrje në një fondacion ku rolin dhe vendimmarrjen e ka të kufizuar.
Kjo çështje duhet të marrë kohën e nevojshme dhe të trajtohet me kujdesin maksimal nga Kuvendi i Shqipërisë”, tha Meta.
Presidenti ka kthyer dje për rishqyrtim në Kuvend Marrëveshjen për Administrimin e Parkut të Butrintit.
Sipas Presidentit Meta, kjo marrëveshje “Cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës”.
Arsyet e rikthimit të marrëveshjes:
Cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës; Cenon parimet dhe vlerat universale që mbrohen që në preambulën e Kushtetutës, duke cenuar kësisoj drejtpërdrejtë interesin publik shqiptar;
Cenon Konventën e Parisit dhe nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO;
Bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;
Praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij;
Procedura e ndjekur nuk ka garantuar një proces të gjerë e të thelluar të konsultimit me publikun, duke sjellë kështu një produkt jo cilësor dhe një debat publik mbi këtë çështje;
Shmang auditimin përmes institucioneve të pavarura kushtetuese të veprimtarisë ekonomike-financiare lidhur me të ardhurat që do të krijohen dhe mënyrën e përdorimit të tyre;
Për shkak të mungesës së konsultimit gjithëpërfshirës, ky ligj është produkt i një procesi që ka shkelur Rezolutën e datës 19 maj 2022, të miratuar nga Parlamentit Evropian.
Fraksion.com