AktualitetPolitikëTë fundit

Shqipëri-Kosovë; Heqen kontrollet në kufi për festat zyrtare e fundjavave

Qytetarët nga Kosova dhe Shqipëria do të kalojnë në pikat kufitare të dy vendeve pa qenë nevoja të regjistrohen.

Gjatë mbledhjes së 8-të të përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë që po mbahet në Prishtinë, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi si dhe ai i Kosovës, Xhelal Sveçla bënë të ditur detaje nga marrëveshjet që do të nënshkruhet mes dy vendeve.

“Protokolli i parë që do të nënshkruajmë bashkë me kolegun tim, arrijmë atë që edhe kryeministri Rama tha, që përgjatë periudhës së verës edhe fundjavës kur ka fluks lëvizje nga të dy krahët, ne do ta lehtësojmë plotësisht. Nëpërmjet protokollit të parë që do të nënshkruajmë, do të përcaktojmë që prej 1 qershorit deri më 30 shtator, për çdo fundjavë dhe për çdo ditë feste shtetërore, në kufijtë tanë shtetasit e Kosovës dhe të Shqipërisë do të kalojnë pa qenë nevoja e regjistrimit nga organet kufitare, në mënyrë që të mos krijohet asnjë vonesë apo radhë në qarkullimin e qytetarëve në të dy anët”, deklaroi Çuçi.

Ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla deklaroi se “ndjehem i lumtur që bashkëpunimi mes ministrive tona të Brendshme është me rezultate konkrete. Shumë proceseve ia kemi dalë, falë bashkëpunimit të ngushtë të ekipeve tona dhe të agjencive tona ekzekutive. Jam i lumtur që sot do të nënshkruaj dy marrëveshje dhe një protokoll bashkëpunimi të marrëveshjes së kaluar. Policia e Kosovës dhe Policia e Shqipërisë gëzojnë një bashkëpunim të shkëlqyer qoftë në luftën kundër legaliteteve që cenojnë sigurinë e vendeve tona, qoftë në ofrimin e sigurisë dhe në ruajtjen e jetës së qytetarëve tanë. Në kuadër të kësaj ne sot do të nënshkruajmë zyrtarisht marrëveshjen e cila do të krijojë lehtësira të kalimit kufitar në pikën, e cila ka kalimin më të madh të qytetarëve të dy vendeve, Vërmicë-Merdarë”.

Ai theksoi se marrëveshja do të rregullojë dhe zvogëlojë procedurat e pritjeve dhe do të bashkërendojë punën e policive kufitare.

“Deri në fund të shtatorit do të ketë kalim të lehtësuar të kufijve, ndërsa marrëveshja do të përcaktojë procedurat lehtësuese që do të jenë për çdo fundjave dhe për çdo festë zyrtare në vendet tona”, nënvizoi Sveçla.

 

Fraksion.com