AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Porti i ri i Durrësit e vendos Shqipërinë dhe Kosovën në qendër të gravitetit rajonal

Kryeministri Edi Rama tha se projekti për portin e ri të Durrësit dhe Portin e Thatë të Prishtinës e vendos Shqipërinë bashkë me Kosovën në qendër të një graviteti rajonal dhe e kthen Durrësin në një nga portat më strategjike ekonomike të Mesdheut.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Prishtinë, me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, Rama e cilësoi një projekt ambicioz strategjik mes dy qeverive, atë të portit të ri të Durrësit dhe Portit të Thatë të Prishtinës.

Rama tha se ky projekt jo vetëm që transformon në mënyrë rrënjësore të gjithë infrastrukturën e zhvillimit tregtar mes dy vendeve, por nxit si asnjë gjë tjetër më parë ekonominë e dy vendeve.

“Ky projekt është rezultat i një pune shumë të detajuar dhe sot kemi firmosur bashkërisht financimin e studimit të fizibilitetit për të shkuar pastaj te projektimi i hekurudhës Durrës-Prishtinë”, tha Rama.

“Nuk e ekzagjeroj fare po të them se pas çdo mbledhje të përbashkët ne i afrohemi pak më shumë qëllimit madhor të Dokumentit të Partneritetit Strategjik mes dy shteteve tona të nënshkruar në Prizren në vitin 2014”, tha Rama.

Kryeministri informoi se “sot kemi dakord që në kuadrin e 110-vjetorit të flamurit tonë kombëtar, të Pavarësisë së Shqipërisë, të organizojmë për herë të parë Kuvendin e përbashkuar të të dyja republikave”.

“Kjo do të jetë një seancë jubilare ku deputetët e të dyja shteteve do të jenë bashkë për t’iu adresuar popullit shqiptar kudo ku ai ndodhet”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri shtoi se “kemi rënë dakord që në periudhën e fundit të vitit, të publikojmë edhe revistën e parë bashkëqeveritare që do t’u shërbejë të gjithë të interesuarve për të parë të gjitha faktet dhe shifrat e bashkëpunimit, të gjitha marrëveshjet dhe nivelin e zbatimit të tyre”.

“Në këtë mënyrë do të kemi një fletore zyrtare të të dyja qeverive, e cila do të publikohet rregullisht në fund të çdo viti për të informuar të gjithë të interesuarit për ecurinë e bashkëpunimit mes nesh”, shtoi ai.

Rama u ndal te volumi tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Kur kemi filluar bashkëpunimin e afërt ka qenë 136 milionë euro, qesharake. Sot jemi në 433 milionë euro që nuk është ende volumi që ne kemi ambicien të arrijmë. Ambicia është të shkojmë mbi 1 miliard, por edhe ky është një volum që nuk mund ta quash të papërfillshëm dhe nuk është shifër me pak domethënie. Është rezultat i mundit, djersës, ambicies së sipërmarrësve shqiptarë në të dyja anët, por edhe i lehtësirave që ne kemi mundur të krijojmë”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri iu përgjigj të gjithë atyre që, sipas tij, “duan të gjejnë arsye që të bëjnë komente mbi mosmarrëveshje dhe mungesë të ecurisë së duhur të punës mes dy qeverive”.

“Me qeverinë aktuale ne kemi shkallën më të lartë të zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara, përfshirë edhe marrëveshjet e nënshkruara në të kaluarën. Shpresoj që ky të konsiderohet fakt dhe jo arsye për të bërë spekulime politike, sepse unë jam i papërfshirë dhe i painteresuar të përfshihem një jetën politike të Kosovës”, tha Rama.

Po ashtu, Rama informoi se abetarja unike është në një proces të avancuar, ku me një komision të përbashkët ekspertësh është përzgjedhur varianti fitues.

“E fundit që kam, por jo për nga rëndësia, është dakordësia financiare përsëri me kontribut të përbashkët të dy qeverive për shkrimin e Enciklopedisë Shqiptare. 10 vëllime që do të përmbledhin të gjithë korpusin enciklopedik të popullit shqiptar, të botës shqiptare, të historisë shqiptare, të jetës shqiptare. Më në fund, edhe shqiptarët do të kenë një enciklopedi të denjë për vende të civilizuara dhe për shtete që e kanë seriozisht adresimin e rrënjëve të tyre dhe njëkohësisht dhe të së ardhmes së tyre”, shtoi Rama.

 

Fraksion.com