AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Rama: Investimet e Kosovës në Shqipëri domethënëse, arritën 139 milionë euro

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Prishtina se “investimet e Kosovës në Shqipëri nga 9 milionë euro në vitin 2017, kanë arritur në 139 milionë euro në vitin 2021, një shifër kjo shumë domethënëse”.

Në nisje të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Rama u ndal në disa shifra domethënëse mbi bashkëpunimin dypalësh.

“Kur ne kemi nisur punën më nga afër dhe më intensivisht me qeveritë e Kosovës, kemi pasur një volum të shkëmbimeve tregtare 160 milionë euro. Vitin që lamë pas volumi i shkëmbimeve tregtare ishte 433 milionë euro. Pra, kemi hyrë në zonën kur shifrat marrin një lloj serioziteti në krahasim me shifrën qesharake të 160 milionë eurove”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje se “sot në Shqipëri rezultojnë të regjistruar 1225 subjekte biznesi nga Kosova, 1081 prej të cilave janë pronësi 100 % e subjekteve nga Kosova, ndërkohë që 145 të tjera pronësi e përbashkët me partnerët në Shqipëri”.

Rama tha se fluksi i investimeve është në vlerën më të lartë historike, ka qenë 16 milionë euro në vitin 2018, ndërkohë që jemi në 41 milionë euro në vitin 2021, një indikator jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Kryeministri shprehu besimin se “ne kemi gjithë mundësinë ta intensifikojmë dhe shtojmë volumin e investimeve reciprokisht”.

“Dua t’i rikujtoj ministrave të Brendshëm të pranishëm se kemi një protokoll të nënshkruar në prill 2019 që shërben si udhëzues shumë i qartë për kalimin praktik të kufirit. Kryeministri është dakord me mua që në këtë sezon është e palejueshme dhe e pajustifikueshme që të kemi më probleme të natyrës që kemi pasur deri vjet dhe radha të pafundme për shkak të kontrolleve një për një të makinave që vijnë drejt Shqipërisë”, tha Rama.

Kryeministri e cilësoi po ashtu me rëndësi strategjike studimin e portit të Durrësit që shtrihet nga Durrësi në Prishtinë.

“Sot më vjen shumë mirë që ne kemi ardhur bashkë me përfaqësues të kompanisë prestigjioze globale Royal Haskoning për të prezantuar këtu studimin e portit të Durrësit, i cili shtrihet nga Durrësi në Prishtinë, me portin pritës në Durrës dhe në portin e Thatë të Prishtinës, çka përbën një projekt me rëndësi strategjike, i cili ka bërë më të integruar edhe hekurudhën Durrës- Prishtinë, për të cilën ne kemi filluar punën konkretisht me studimin përkatës bashkërisht dhe besojmë që duke e shtyrë bashkërisht këtë projekt të madh të portit të ri me Portin e Thatë të Prishtinës dhe portin e Durrësit të integruar me hekurudhën dhe me portin ushtarak bazë të NATO-s të re në Mesdhe në Durrës, gjë për të cilën ne kemi filluar kontaktet me NATO-n, jemi në një situatë krejtësisht tjetër për dhjetëvjeçarët e ardhshëm”, tha Rama.

 

Fraksion.com