PS hodhi poshtë kërkesën për Komision Hetimor për investimet strategjike, reagon Alibeaj: Skemë korruptive
Është rrëzuar për herë të tretë në Konferencën e Kryetarëve kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike.
Kryetari i grupit parlamentar të PD e quajti skandaloz këtë vendim. Ai tha se PD do të ndjekë të gjithë rrugët deri në fund. Alibeaj nënvizoi se u shkel Kushtetuta dhe ligji për komisionet hetimore.
“Ne do t’i bëjmë me dije të gjitha arsyet reale të rrëzimit të kërkesës sot”, tha Alibeaj, i cili tha se i gjithë zbatimi i ligjit për Investimet Strategjike është skemë korruptive.
“Skemë korruptive, u shkel Kushtetuta dhe ligji për komisionet hetimore. Kërkuam që të hetoheshin të gjitha pikat e miratuara nga Komisioni për Investimet Strategjike”, u shpreh ai.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike depozituar për herë të tretë kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike. PD kërkon ngritjen e këtij komisioni pasi sipas tyre ka dyshimet për abuzime dhe klientelizëm për projektet strategjike.
Kërkesa është firmosur nga 35 deputetë të opozitës, mes tyre edhe ish-kreu i PD-së Luzlim Basha. Ajo çfarë vihet re është se deputetja Ina Zhupa ka tërhequr firmën e saj që pas bashkimit me grupin e Sali Berishës, ndërkohë që në kërkesën e parë drejtuar Kuvendit ajo ishte një prej firmëtarëve.
Mazhoranca socialiste rrëzoi të enjten kërkesën e dytë të deputetëve të opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor për të kontrolluar mënyrën sesi qeveria ka zbatuar ligjin për investimet strategjike. Përsëritja e kërkesës u bë pasi Agron Duka tërhoqi firmën pak ditë më parë, ndërsa në vend të tij për ngritjen e komisionit firmosën Enkelejd Alibeaj dhe Lulzim Basha, të cilët sipas argumentimeve të demokratëve për shkak të axhendës nuk kishin mundur të firmosnin. Por socialistët e rrëzuan me pretendimin se kërkesa duhet të ishte bërë nga fillimi dhe firmat duhet të ishin mbledhur sërish pas tërheqjes së deputetit Duka.
Sipas ligjit, për ngritjen e një komisioni hetimor duhen të paktën 35 firma deputetësh. PD thotë se ky komision do të hetojë të gjitha investimet e mëdha, që sipas tyre i janë dhënë miqve të Ramës. Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar PD përcaktoi edhe përbërjen e Komisioni Hetimor për Investimet Strategjike ku kryetar ishte parashikuar Gazment Bardhi. Gazment Bardhi që është edhe inciatori për ngritjen e këtij Komisioni, ka thënë qartë që qëllimi është që me anë të kësaj të kuptohet që shqiptarët do të shohin sesi pronat publike po ndahen tek familjarët e ministrave, tek miqtë e Edi Ramës dhe tek një grusht oligarkësh pranë tij.
Fraksion.com