“Nis puna pë Enciklopedinë shqiptare”; Rama: Finalizohet faza e parë për abetaren e unifikuar
Kryeministri Edi Rama informoi sot se tashmë ka përfunduar faza e parë për abetaren e unifikuar, ndërkohë që shprehu besimin se kjo abetare do të shkojë te të gjithë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbi dhe diasporë.
Në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, që po zhvillon punimet në Prishtinë, Rama tha se vazhdon faza e dytë, deri në finalizimin e këtij projekti.
“Ka përfunduar faza e parë e punës së grupit të përbashkët për abetaren e unifikuar dhe kemi fituesin. Puna për fazën e dytë të zbatimit vazhdon dhe jam shumë i lumtur që do të kemi mundësinë bashkë me Albinin që të dorëzojmë abetaret e unifikuara. Ndërkohë që ne kemi folur edhe me përfaqësuesit e popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe kryeministrin e Malit të Zi dhe do të flasim edhe me autoritetet në Serbi, që kjo abetare e unifikuar të shkojë te të gjitha familjet shqiptare dhe fëmijët shqiptarë. Në zonën tjetër, që e ka merak vetë Albini, të diasporës, aty e kemi të sigurt që do të kemi një shpërndarje të abetares, kudo ku do të na kërkohet”, tha Rama.
Po ashtu, Kryeministri u ndal te zbatimi i angazhimit që është marrë në takimin e shtatorit në Prishtinë me të dyja akademitë, që të nisin punën konkretisht me financim të dy qeverive për Enciklopedinë Shqiptare.
“Një projekt madhor albanologjik i shumëpritur dhe i shumëmunguar, që merr udhë si një vullnet i përbashkët i qeverisë së Kosovës dhe i qeverisë sonë”, shtoi Rama.
Fraksion.com