AktualitetNATO/BETë fundit

NATO: Turqia, Finlanda dhe Suedia takim në Bruksel

Me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg, zyrtarë të lartë nga Turqia, Finlanda dhe Suedia u takuan me zyrtarë të lartë të NATO-s në selinë e Aleancës në Bruksel të hënën (20 qershor 2022). Të kryesuar nga Stian Jenssen, Drejtor i Zyrës Private të Sekretarit të Përgjithshëm, bisedimet u fokusuan në shqetësimet e sigurisë të ngritura nga Turqia me qëllim që të arrihet përparim në aplikimet për anëtarësim në NATO nga Finlanda dhe Suedia.

Delegacioni turk u kryesua nga ambasadori İbrahim Kalın, zëdhënës i Presidentit dhe Këshilltar Special i Presidentit të Republikës së Turqisë; delegacioni finlandez u kryesua nga Petri Hakkarainen, Drejtor i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në Zyrën e Presidentit të Republikës së Finlandës; dhe delegacioni suedez u kryesua nga Oscar Stenström, Sekretar i Shtetit me përgjegjësi për Punët e Jashtme dhe Këshillin e Politikës së Sigurisë, në Zyrën e Kryeministrit të Mbretërisë së Suedisë.

“Përshëndes takimin konstruktiv të mbajtur sot për aplikimet historike të Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO”, tha Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg. Ai shtoi: “Aderimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do ta bënte Aleancën më të fortë dhe të gjithë zonën euroatlantike më të sigurt. Turqia ka shqetësime legjitime për sigurinë mbi terrorizmin që ne duhet t’i trajtojmë. Kështu që ne do të vazhdojmë bisedimet tona për aplikimet e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO, dhe mezi pres të gjejmë një rrugë përpara sa më shpejt të jetë e mundur.”

Bisedimet e së hënës pasuan një seri takimesh në javët e fundit, të dizajnuara për të adresuar shqetësimet e sigurisë së Turqisë dhe për të bërë përparim në aplikimet e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO. Diskutimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

 

Fraksion.com