AktualitetPolitikëTë fundit

Hiqen kufizimet: Maturantë nga Shqipëria e Kosova, mundësi të barabarta në 19 universitete nga Gjirokastra deri në Mitrovicë

Gjatë takimit të sotëm mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës do të nënshkruhet marrëveshja për pranimin reciprok të studentëve në universitete.

Lajmi u bë i ditur gjatë mbledhjes së 2 qeverive Kosovë-Shqipëri në Prishtinë nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, e cila theksoi se marrëveshja synon unifikimin dhe lehtësimin e procedurave të aplikimit, konkurrimit dhe regjistrimit të studentëve nga të dy vendet.

Kushi e ka konsideruar një lajm shumë të bukur për të rinjtë shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë, që synojnë të vazhdojnë studimet e larta. Me anë të kësaj marrëveshjeje ofrohen mundësi dhe kushte të barabarta për të konkurruar në universitetet e të dyja vendeve, duke lehtësuar dhe ulur në 3 ditë pune procedurat e njohjes së diplomave Bachelor dhe Master në të dy vendet respektive.

Shqipëria dhe Kosova do të kenë procedura të unifikuara të aplikimit dhe regjistrimit në programet e ciklit të parë, të dytë dhe profesionale.

Ministrja Kushi bëri të ditur se duke filluar nga viti i ardhshëm akademik një maturant shqiptar nga Shqipëria mund të konkurrojë në Kosovë me të njëjtat kushte, kritere dhe procedura si shqiptarët e Kosovës. Po kështu edhe një maturant shqiptar i Kosovës mund të vijë në Shqipëri t’i nënshtrohet njësoj kritereve dhe procedurave tona.

Kushi shtoi se kjo marrëveshje nuk i ndryshon procedurat e ligjeve të mëparshme për kuota të veçanta për vendet respektive. “Për shembull, në Shqipëri universitetet përcaktojnë vetë një numër kuotash për studentë nga Kosova, Maqedonia apo Presheva. Kjo do të vazhdojë të jetë në fuqi, me qëllim nxitjen e shkëmbimeve mes vendeve. Marrëveshja vjen me momentin e duhur, pas unifikimit të kurrikulave tona, maturantët janë të përgatitur në të njëjtin program, prandaj ky vendim është shumë i natyrshëm dhe plotësisht i zbatueshëm”, tha ajo.

Zv.ministri i Arsimit e Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, Dukagjin Pupovci tha se “marrëveshja e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës parashikon heqjen e të gjitha kufizimeve për pranimin e studentëve në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë të të dy vendeve tona”.

“Me këtë marrëveshje maturantë nga Shqipëria dhe Kosova do të ketë qasje të barabartë në 19 universitete nga Gjirokastra, deri në Mitrovicë, duke shtuar kështu mundësinë për përzgjedhjen e universiteteve dhe degën e studimeve”, tha ai, teksa bëri të ditur se marrëveshja po nënshkruhet në prag të afateve për regjistrim në arsimin e lartë në të dy vendet, ndaj mund të zbatohet që këtë vit.

“Ministria e Arsimit të Kosovës do të kërkojë kuota të veçanta për studentët nga Shqipëria. Gjithashtu në kuadër të Nismës së Bolonjës, duhet të punojmë të gjithë bashkë për gjetjen e modaliteteve që studentët të kalojnë edhe periudha më të shkurtra studimi brenda universiteteve tona, që do të jetë një vlerë e shtuar për formimin akademik dhe profesional të tyre”, shtoi ai.

 

Fraksion.com