AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

“Pse qershitë e tua shiten”; I ulur këmbëkryq Rama shkëmben batuta me fermerët

Në mes të një parcele me qershi, i rrethuar nga fermerë dibranë dhe i shoqëruar nga ministret Balluku dhe Krifca, Kryeministri Edi Rama ka biseduar për bujqësinë dhe tregun e qershive në vend. I ulur këmbëkryq Rama ka shkëmbyer batuta me fermerët. Dibra është një nga zonat me prodhim të lartë të qershive në vend, që i shërbejnë jo vetëm tregut vendas por edhe atij të huaj.

Veip Salkurti, fermeri i cili zotëron parcelën me qershi, i tregoi Ramës së është në pikun e sezonit të vjeljes së tyre. Ai thotë se ka një linjë të prodhimit të lëngjeve të frutave të ndryshme që ai kultivon në një hapësirë prej 8 hektarësh.

“Ne fermerët kemi një problem. Na vijnë mallrat nga Italia e shiten këtu. Pse? Spisë ne nuk kemi mbjellë atë që kërkon konsumatori. Para se të mbillet toka, duhet pyetur çfarë kërkon tregu. Qershitë e mia shiten se unë e kam lexuar konsumatorin, prandaj e shes”, – thotë Veipi teksa shoqëronte kryeministrin në plantacionin e mbjellë me qershi.

“Disa njerëz lodhen, mundohen e nuk duan të kuptojnë që kjo kërkon informacion, kërkon dije, kërkon bashkëpunim, se vendos tregu, nuk vendos ti. Megjithatë në krahasim me ku e kemi filluar ne, sot jemi në botë tjetër se ka plot si ty. Shiko eksportin, se thonin, “jo po i nxjerr ti me dollar se janë rritur çmimet”. E vërtetë është që janë rritur çmimet, por kemi 29% sasi më shumë dhe 41 milionë dollarë më shumë se sa viti i kaluar, në këtë periudhë” – nënvizoi Kryeministri Rama.

Një nga shqetësimet e fermerëve të Dibrës është gjetja e tregut në momente kur ka mbiprodhim, problem ky që mendohet të adresohet me ngritjen e një tregu të ri për fermerët e kësaj zone.

“Ne do të ndërtojmë sëbashku me bashkinë e Bulqizës, me buxhet nga buxheti i Ministrisë së Bujqësisë, një treg që synojmë ta ndërtojmë brenda këtij viti, ku fermerët e vegjël të mund të shesin prodhimin. Njëkohësisht me bashkinë e Tiranës, me të njëjtin model po i ndihmojmë për të ndërtuar tregun e Farkës. Kjo do ta çlirojë shumë këtë mbiprodhim të zonës së Dibrës. Njëkohësisht do vazhdojmë t’i mbështesim nëpërmjet programit IPARD, do t’i mbështesim me linjat e përpunimit, siç e kërkon Veipi për qershinë”, – u shpreh ministrja Krifca.

Rruga e Arbrit, tregu i ri në Bulqizë dhe tregu i ri në Tiranë që do të ndërtohen, do ti japë një shtysë të re dhe motivim  më tepër për të punuar tokën të gjithë fermerëve të Dibrës dhe Shqipërisë.

Biseda e Kryeministrit me fermerin

Fermeri: Për zotin vjen molla nga Italia dhe shitet dy mijë lek në Dibër.

Rama: Si është shpjegimi më i thjeshtë.

Fermeri: Shpjegimi është që kur të mbillet toka duhet me pyet njëherë, ça me mbjell. Jo të dal në pazar dhe të thojë ku ta çojë mallin.

Rama: Tani pse qershitë e tua shiten dhe të tjerëve nuk u shiten?

Fermeri: Po janë shumë gjëra në këtë mes, është varieteti, por unë e kam lexuar konsumatorin ndaj më shitet. Ky është realiteti.

Rama: Po çfarë këshille do t’i japësh këtyre fermerëve të tjerë ti?

Fermeri: Duhet të investojnë në teknologji, duhet ta studiojnë varietetin dhe suksesin do e kenë të garantuar. Kjo ka ardhur nga Franca si varietet dhe është i shitur çmimin ja ve sa të duash. Nuk e lus tregtarin unë.

Rama: Ti thua që ata që e kanë këtë problem duhet të fillojnë me shartime? Këto qershitë që nuk shiten, duhen shartuar. Duhen ekzekutuar, shkulur fare?

Fermeri: Ore se ti e vjel qershinë këtu dhe shkon ujë atje te tregu se është e patrajtuar. Mendini është fermeri që ka një grafik dhe kalendar të vjeljes që në fund të majit e deri në korrik. Fidanin e kam marrë në Bashkimin Europian dhe jam munduar të marr qershi për eksport. Kam marrë pjesë në projekte ndërkombëtare me Veipin dhe ka marrë varietet të ndryshme që dalin çdo 3 ditë.

Rama: Dhe ti e shet të gjithë?

Fermeri: E kam të shitur të gjithë, çoj 3 ton çdo ditë në Tiranë, ja atje është çuni.

Rama: Po kjo s’është si qershi kjo është si mollë e vogël ore.

Fermeri: Po ashtu është, po s’punove nuk ka.

Rama: Po ai është lëngu qershisë ai?

Fermeri: Po kjo është borronicë, pije se është e mirë. Kësaj i merret lëngu me vakum. Ka nevojë për disa investime kjo, dhe unë e mbys të gjithë Dibrën.

Rama: Eliksir është, lëngu i jetës, krenaria e Dibrës. Kjo është e rëndësishme se ca nuk e kuptojnë se këtë e vendos tregu, e vendos konsumatori.

 

Fraksion.com