Rama: “Automotive Fair Albania”, hapësira e një industrie në rritje
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në hapjen e edicionit të parë të panairit të makinave në Shqipëri “Automotive Fair Albania”, që do vijojë deri në 19 qershor në Expocity, se “është një panair shumë i veçantë, i pari i këtij lloji në vendin tonë, ku ekspozohen gjëra shumë tërheqëse, po ku gjen hapësirë edhe një industri e cila po rritet dhe tek e cila ne besojmë dhe duam të shtyjmë edhe më shumë në të ardhmen e afërt në mënyrë që të krijojmë më shumë hapësira dhe vende pune cilësore”.
Rama i ftoi qytetarët “që të vijnë ta vizitojnë këtë hapësirë ku ka shumë mundësi për të kënaqur fëmijët. Të gjithë fëmijët e të gjitha moshave dhe natyrisht për të kaluar disa orë krejt ndryshe në një Tiranë që është gjithmonë e më e pasur me aktivitete, por ku ky aktivitet ka një profil shumë të veçantë”.
“Automotive Fair Albania” është edicioni i parë i panairit të makinave në Shqipëri, me përmasa rajonale, i cili u çel sot, si një takim i shumëpritur për industrinë automotive, një vitrinë rajonale për sipërmarrjet më novatore në trojet shqipfolëse. Ky panair organizohet për herë të parë në Shqipëri nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor – Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në panair ekspozojnë produketet e tyre 50 pjesëmarrës, të cilët janë prodhues pjesësh automotive, koncesionare të mjeteve elektrike, sipërmarrës të rinj, prodhues aksesorësh, inovatorë, shpikës aplikacionesh mobile, të gjitha të lidhura me sektorin automotiv, duke krijuar kështu një mundësi unike për shkëmbim eksperiencash, shikueshmëri, networking dhe bashkëpunime të reja, si dhe një eksperiencë ndërkombëtarizimi.
Fraksion.com