Deklarata e fortë e deputetit të PD: 3 grupet që u futën në Kuvend në 2021, shkoi vota 500 euro
Deputeti demokrat, Dashnor Sula tha sot në mbledhjen e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore se ka ardhur momenti që partitë të votojnë ndryshime që i shërbejnë vendit dhe jo interesave personale.
Duke u rikthyer te zgjedhjet e vitit të kaluar, ai vuri theksin te prishja e marrëveshjes së 5 tetorit 2020, ku në Kuvend u futën të fortët, biznesmenët me të ardhura të dyshimta dhe të korruptuarit e administratës që bëjnë lekë në 4 vite dhe më pas blejnë mandatin.
Fjala e Sulës
Jemi katandisur sot në këtë gjendje ku deputetët janë të emëruar, deputetë që kanë ardhur si të fortë. Edhe në 25 prill të 2021, në Kuvend vjen grupi i të fortëve, grupi i biznesmenëve të dyshimtë që blejnë vota në zonat e tyre elektorale dhe të korruptuarit e administratës që vjedhin në 4 vite dhe ato para i shfrytëzojnë për të blerë mandatin. Fatkeqësisht kundërshtarët tanë politikë i përdorën në fushatë në 2021.
Fatos Nano, PS me përgjegjësinë për Shqipërinë pranoi në 2005 rrotacionin. Të njëjtën gjë e bëri edhe Berisha në 2013. Por Rama nuk e bëri në 2021, por prishi marrëveshjen politike duke miratuar kodin zgjedhor në mënyrë të njëanshme. Jemi në këtë pikë ku jemi. Duhet të marrim vendime në interes të qytetarëve, jo të bëjmë demagogji. Do të jap votë pro që të votojnë edhe emigrantët shqiptarë kudo që janë. Këtu ka ngelur administrate që voton sipas pushtetit dhe pjesa që blihet. Ka edhe nga opozita që blenë votues në 25 prill, por ka shumë më shumë maxhoranca. Ishte 50 euro vota, shkoi 500 euro. Janë konstatime të organizatave të huaja, janë procedime penale që kanë filluar.
Fraksion.com