30 mijë rrënjë kanabis: Arrestohet Shefi i Komisariatit në Velipojë dhe tre policë
Shefi i Policisë së Velipojës është arrestuar këtë të premte bashkë me tre policë për shpërdorim detyre, pasi akuzohen se kanë favorizuar kultivimin e kanabisit në vend. Nën/komisari Zamir Sytari dhe 3 vartësit e tij, të identifikuar si: n/Komisar Arben Hoxha, 45 vjeç; inspektor Ergys Lohja, 34 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë; Hysni Beqiri, 53 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë. Të gjithë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë favorizuar kultivimin e sasive të bimëve narkotike.
Sekuestrohen 30 mijë bimë narkotike, shkarkohet drejtori i policisë në Velipojë Njoftimi i plotë:
Drejtoria Rajonale e AMP-së Shkodër-Lezhë në bashkëpunim të ngushtë me drejtuesit e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër ka referuar materialet proceduriale për 4 punonjës policie, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Pas hetimeve me metoda speciale të kryera në kuadër të procedimit penal nr. 869 të vitit 2022, u arrit që në një kohë të shkurtër të dokumentohej veprimtaria e kundraligjshme e drejtuesve të Stacionit të Policisë Velipojë.
AMP ka ekzekutuar urdhrat e ndalimit për punonjësit e policisë: – N/Komisar Z. S., 40 vjeç, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Velipojë; – N/Komisar A. H., 45 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Velipojë; – Inspektor E. L., 34 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë; – Inspektor H. B., 53 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë. Me veprimet dhe mosveprimet e tyre, si persona me fushë përgjegjësie direkte, këta punonjës dyshohet se kanë favorizuar kultivimin e sasive të konsiderueshme të bimëve narkotike në zona që kanë pasur mundësi të mbikëqyren e kontrollohen në kuadër edhe të Planit të Veprimit dhe Planit Operacional të DVP-së. Materialet proceduriale i kaluan për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.
Njoftimi i sotëm ka ardhur pas aksionit të zhvilluar 3 ditë më parë, më 14 qershor në Shkodër, ku u asgjesuan 30 mijë bimë kanabis, që ishin mbjellë në një tokë që kishte edhe grurë. Policia ka arrestuar një person që dyshohet se merrej me kultivimin e më pas trafikimin e lëndëve narkotike. Në pranga Blerim Hoxhaj, 24 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur miku i tij. Ndërsa më herët, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano paralajmëroi të gjithë shefat e Komisariateve se do të mbajnë përgjegjësi nëse në zonën e tyre gjenden duke u kultivuar bimë narkotike.
Fraksion.com