AktualitetPolitikëTë fundit

Po me Kievin ç’pate”?! Rama ironi me Tabakun: Korrekto pak dhe atë punën e inflacionit dhe Eurobondit…

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar deputeten demokrate, Jorida Tabaku, dhe kolegët e tjerë të opozitës, teksa ka folur për krizën e çmimeve.

Nga foltorja e Kuvendit, Rama iu kthye akuzave të Tabakut me ironi, teksa i tha se ‘I kemi ndarë punët, ju me domatet, ne të shkretët aty ku na kërkon detyra’.

Më tej, kryeministri iu drejtua Tabakut, duke i thënë se çfarë pati me vizitën e tij në Kiev, teksa iu drejtua me fjalët “Po me Kievin çfarë pate znj. Tabaku? Ku hynte Kievi në këtë bisedë, ç’lidhje kishte vizita jonë në Kiev me domatet?”

“E fundit është zonja Tabaku, po mirë si ka mundësi që të paktën një shifër, e cila është në raport këtu dhe që ka një domethënie sa shumë të tjera të kredive të këqija, ju e merrni dhe e ktheni sikur është një problem. Kreditë e këqija sot 5%, në krahasim me 20% që ishin kur ne morëm detyrën. Ku gjendet kjo kurajë, ku? Unë e kuptoj forcën adrenalinike të domateve, por jo deri këtu.

Po pate mundësi, meqë e di që do vish tani, korrekto pak dhe atë punën e inflacionit dhe eurobondit, se dhe për mua që nuk jam shumë i lexuar dhe vij nga një rrugë tjetër, jo ajo e llogarive, nuk shkon kjo që thoni ju, se sapo filloi të rritet inflacioni, ju dolët e morët eurobond. Na e shpjegoni, por kini parasysh të gjithë ju një gjë, se falë atij eurobondi, që nuk e kemi marrë më shtrenjtë se tjerët në rajon, ne kemi sot mundësinë të punojmë me një skenar, ku kemi kohë që të mos dalim në tregun e kapitaleve, në këto kushte, kur tregu i kapitaleve është një çmenduri totale, për shkak të krizës.

Duhet një guxim shumë i madh, kur e thoni, se unë nuk kam komplekse ta them se kemi krizë ndërkombëtare. Se çfarë kompleksesh duhet të kem për ta thënë këtë, ju e dini”, tha Rama.

 

Fraksion.com