AktualitetBota+Të fundit

Liderët evropianë në Kiev; lufta për Severodonjeckun tërbohet

Forcat ruse intensifikuan sulmet në Severodonjeck, në përpjekje për të marrë kontrollin e qytetit strategjik, që ndodhet në lindje të Ukrainës.

Ushtria e Ukrainës tha se Rusia ka përqendruar forcat e saj në veri të rajonit Luhansk dhe se po përpiqet të sulmojë njëkohësisht në nëntë drejtime.

“Lufta e ashpër në rajonin e Luhanskut vazhdon”, tha Valeriy Zaluzhny, komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës.

Për të treguar solidaritetin me Ukrainën, disa udhëheqës evropianë arritën mëngjesin e së enjtes në Kiev.

Presidenca e Francës tha se kreu i këtij shteti, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministri italian, Mario Draghi, udhëtuan në Kiev së bashku, nga Polonia.

Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, iu bashkua atyre në kryeqytetin ukrainas.

Duke folur për gazetarët pas mbërritjes në Kiev, Macron tha se udhëheqësit e tri ekonomive më të mëdha të Bashkimit Evropian duan t’i përcjellin “mesazhin e solidaritetit evropian” presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Scholz shtoi se liderët e BE-së duan “të tregojnë mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe qytetarët e Ukrainës”.

“Por, ne nuk duam të demonstrojmë vetëm solidaritet; ne gjithashtu duam të sigurojmë se ndihma që organizojmë – financiare dhe humanitare, por edhe kur bëhet fjalë për armët – do të vazhdojë”, tha Scholz.

Më herët, Ukraina ka kritikuar Francën, Gjermaninë dhe, deri në një masë Italinë, për, siç ka thënë, hezitime në mbështetjen e tyre për Kievin dhe ka thënë se ato janë të ngadalshme në dërgimin e armëve.

Në fushëbetejë, lufta për Severodonjeckun vazhdon tash e sa javë. Kapja e Severodonjeckut – qytetit më të madh në Luhansk, që është ende nën kontrollin e Ukrainës – do t’u mundësonte forcave ruse të avancojnë në qytetet Slloviansk dhe Kramatorsk, më në perëndim.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha në buletinin e saj të përditshëm të inteligjencës se situata vazhdon të jetë jashtëzakonisht e vështirë për mbrojtësit e Severodonjeckut.

Inteligjenca britanike, po ashtu, vuri në dukje vështirësitë e mundshme që ka Rusia në zëvendësimin e trupave të rëna në fushëbetejë.

“Siç pretendohet nga autoritetet ukrainase, disa grupe taktike të batalioneve ruse – të krijuara zakonisht me rreth 600 deri në 800 pjesëtarë – kanë arritur të grumbullojnë deri në 30 të tillë”, tha inteligjenca britanike.

Kombet e Bashkuara thanë se rreth 12,000 civilë mbeten të bllokuar në Severodonjeck – me furnizime gati para mbarimit. Shumë prej tyre janë të strehuar në bunkerë, nën fabrikën kimike të Azotit.

“Mungesa e ujit dhe mjeteve sanitare paraqet shqetësim të madh. Është një shqetësim i madh për ne, sepse njerëzit nuk mund të mbijetojnë kohë të gjatë pa ujë”, i tha BBC-së zëdhënësi i Zyrës për Çështjeve Humanitare të OKB-së, Saviano Abreu.

Më 15 qershor, Rusia u ka kërkuar mbrojtësve ukrainas, të strehuar në fabrikën Azot, që të heqin dorë nga “rezistenca e pakuptimtë dhe t’i dorëzojnë armët”. Ajo, po ashtu, ka premtuar një “korridor humanitar” për civilët që strehohen në uzinë dhe për luftëtarët, por Kievi e ka injoruar ultimatumin.

Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën për një paketë shtesë armësh për Ukrainën, me vlerë prej rreth një miliard dollarësh. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se ka informuar presidentin Zelensky për ndihmën, përmes një bisede telefonike.

Zelensky, paraprakisht, ka bërë thirrje për më shumë armë të rënda dhe për më shumë sanksione të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Duke folur të mërkurën, përpara një mbledhjeje të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, shefi i aleancës, Jens Stoltenberg, tha se ekziston një “nevojë urgjente” për të dërguar armatime më të avancuara në Kiev, por paralajmëroi se familjarizimi i ushtrisë ukrainase me sisteme të tilla armësh kërkon kohë./REL

 

Fraksion.com