AktualitetTë fundit

Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan; Prokuroria rikthehet në vendin e krimit, rindërton skemën edhe njëherë

Ndërkohë që ka kaluar më shumë se një vit nga vrasja e Pjerin Xhuvanit, hetuesit janë kthyer sërish në vendin e krimit duke rindërtuar edhe njëherë ngjarjen që shkaktoi vdekjen e një personi. Bashkë me prokurorin e çështjes, Ridvan Suka dhe grupin hetimor, në vendin e ngjarjes ndodhet edhe efektivja e forcave “Shqiponja”, Xhensila Sota, e cila u plagos me një plumb dhe po tregon ngjarjen për grupin hetimor.

Ngjarja e rëndë u regjistrua më 21 prill pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ku Xhuvani u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demorkatike në këtë qytet, Gazmend Bardhi.

Të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota ( punonjëse e policisë).

Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.

Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një strukture të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend.

Nga dita e parë e ngjarjes e deri më sot, në burg ndodhet vetëm ish-efektivi i repartit RENEA, Arbër Paplekaj, akuza ndaj të cilit është provuar se ka qëlluar për vdekje në dretim të Pjerin Xhuvanit dhe dhëndrit të tij, Eltjon Bodinaku. Pamjet filmike të analizuara dhe ekspertizat e kryera ka rezultuar se Paplekaj është personi i veshur me bluzë të zezë me mëngë të shkurtra dhe në brez mban një çantë Marsup, nga e cila nxjerr dhe armën e zjarrit. Ai qëllon në këndin e drejtimit, duke pasur përballë Pjerin Xhuvanin si dhe punonjësen e policisë, e cila qëndron prapa një furgoni të forcave të rendit.

 

Fraksion.com