Shqipëria drejt anëtarësimit në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE, Peleshi: Hap i rëndësishëm
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile, Haki Çako, pritën në një takim në ambientet e Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, Komisionerin Evropian për Mbrojtjen Civile, Janez Lenarčič.
Takimi u zhvillua në kuadrin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian (Union Civil Protection Mechanism/ UCPM).
Ky takim u zhvillua pas takimit të z. Lenarčič me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ku u shpreh vullneti i vendit tonë për t’u bërë pjesë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.
Më pas, ministri i Mbrojtjes dhe Komisioneri Evropian për Mbrojtjen Civile të BE-së iu drejtuan ambienteve të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile.
Gjatë këtij takimi, z. Peleshi u theksoi se anëtarësimi në këtë mekanizëm është një hap i rëndësishëm për forcimin bashkëpunimit dhe bashkërendimit në nivel evropian dhe përmirësimit të sistemit të mbrojtjes civile dhe menaxhimit të riskut nga fatkeqësitë.
Ministri i Mbrojtjes informoi komisionerin Evropian për Mbrojtjen Civile mbi zhvillimet e fundit dhe reformimin e sistemit të Mbrojtjes Civile në rang kombëtar me synim përballimin sa më efikas të krizave në shkallë të gjerë.
Gjithashtu, ministri i Mbrojtjes shprehu mirënjohjen e thellë mbi kontributin dhe solidaritetin e treguar nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE në momente të vështira që ka kaluar vendi ynë gjatë tërmetit të vitit 2019, pandemisë COVID-19 dhe zjarreve në stinën e verës.
Gjatë këtij takimi u theksua fakti se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe këtij mekanizmi në fushën e mbrojtjes civile do të vazhdojë të forcohet në të ardhmen.
Fraksion.com