AktualitetNATO/BETë fundit

Kryeministri portugez: Debati mbi statusin e Ukrainës në BE mund të rrezikojë unitetin

Kryeministri i Portugalisë ka paralajmëruar se debati nëse do t’i jepet Ukrainës statusi i kandidaturës në Bashkimin Evropian mund të ndajë bllokun dhe të krijojë “pritje të rreme”.

“Mbështetja më e mirë që Bashkimi Evropian mund t’i japë Ukrainës është të ruajë unitetin e saj,” tha António Costa për Financial Times në një intervistë. “Më e mira që mund të ofrojmë është uniteti evropian.”

Ndarja në BE do të ishte një dhuratë për presidentin rus Vladimir Putin, citon gazeta të ketë thënë Costa.

“Fokusi im është të marr në Këshillin e ardhshëm Evropian një angazhim të qartë për mbështetjen urgjente dhe të ndërtoj një platformë afatgjatë për të mbështetur rimëkëmbjen e Ukrainës”, tha Costa për FT.

“Ky është prioriteti im kryesor. Më të rëndësishmet nuk janë debatet ligjore për Ukrainën, por dërgesat praktike”, shtoi ai.

Sipas FT, Costa tha se ai nuk e kundërshtoi në mënyrë eksplicite kandidaturën e Ukrainës, por se prioriteti i tij ishte “mbështetja e qartë dhe e menjëhershme”, duke paralajmëruar kundër hapjes së një negociate shumëvjeçare në këtë moment.

“Rreziku i madh është krijimi i pritshmërive të rreme që bëhen zhgënjim i hidhur. Më pak debate ligjore, më shumë zgjidhje praktike”, tha ai.

Gjatë një vizite në Kiev këtë fundjavë, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Komisioni do të ishte gati të finalizonte vlerësimin e tij nëse do të rekomandonte Ukrainën për anëtarësim në BE “deri në fund të javës së ardhshme”.

 

Frajksion.com