Vjosa “Park Kombëtar”, Rama: Do të ndalojmë çdo veprimtari ekonomike që cenon lumin
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se me shpalljen e Vjosës Park Kombëtar qeveria merr përsipër ndalimin kategorik të çdo biznesi apo veprimtarie ekonomike që mund të cenojë trupin e lumit dhe gjithë krahët e tij.
Nga ana tjetër, Kryeministri tha se “besojmë se duke shpallur Vjosën Park Kombëtar do të kemi një impakt ekonomik në terma financiarë, më i madh sesa ai i bazuar tek zhvillimi në dëm të Vjosës”.
Rama ishte sot i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.
Rama tha se marrëveshja që nënshkruhet sot, vulos një kurorëzim të pandashëm të natyrës me njeriun, si projekti ynë më i ri dhe më ambicioz për zhvillimin e qëndrueshëm të vizionit “Shqipëria 2030”.
“Shënojmë sot hedhjen e një hapi vendimtar drejt shpalljes së Vjosës ‘park kombëtar’, duke përfituar nga një bashkëpunim i afërt me organizatën globale ‘Patagonia’, të cilës i detyrohemi një falënderim, për faktin se ishte bashkë me të gjithë zhurmaxhinjtë e tjerë në këtë proces, por ndryshe nga ata e priti me shumë kënaqësi ftesën tonë për të përveshur edhe mëngët, përveçse për të nxjerrë zhurmën. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi organizata ‘Patagonia’, ka atë që ne na duhet më shumë se çdo gjë tjetër, dije dhe eksperiencë në një fushë si kjo”, tha Rama.
“Vjosa kalon mespërmes trupit të Shqipërisë, hyn nga njëra anë e del nga ana tjetër dhe të thuash ‘park kombëtar’ është fjalë, por ka nevojë për një horizont zhvillimi ekonomik e social. Se kur na thonë se ky është lumi i fundit i egër në Evropë, bëjnë sikur harrojnë se lumenjtë e tjerë të egër i kanë zbutur për veten e tyre, kurse këtu e duan të egër. Ne nuk jemi kundër, sepse përderisa po e bëjmë, po e bëjmë me bindje të plotë se është e ardhmja”, shtoi ai.
Rama tha se “ne duam të ndërtojmë një hapësirë për një zhvillim që mbron mjedisin dhe njëkohësisht ushqen shëndetshëm gjenerata të tëra, e që do ta lënë Vjosën trashëgim njëra pas tjetrës, në një rrugë të re dhe deri më sot të pashkelur në Evropë”.
Kryeministri shtoi se “Vjosa është egërsia e fundit lumore që nuk do të hyjë në cirkun e kafshëve të zbutura në sistemin elektroenergjetik të Evropës”, dhe sipas tij, “Vjosa do të prodhojë ardhmëri në një formë tjetër”.
“Kjo është një histori që ka pasur edhe një aspekt lidhur me pavërtetësinë dhe hipokrizinë, pasi ne e vendosëm Vjosën në mbrojtje, ky është fakt. Këtu ishin planifikuar të ndërtoheshin hidrocentrale, ne trashëguam rreth 400 licenca hidrocentralesh në të gjithë Shqipërinë, 12 vetëm në Valbonë. Ne e kthyem Vjosën në zonë të mbrojtur për të mos ndërtuar më hidrocentrale. Jemi këtu për të kaluar në një fazë tjetër nga zonë e mbrojtjes, në një park kombëtar, duke u angazhuar për një projekt shumë të madh dhe me shumë dimensione,” shtoi Rama.
Kryeministri shtoi se “zona që do të mbulojë Parku Kombëtar është një zonë shumë e madhe”.
“Është parku më i madh kombëtar i Shqipërisë dhe na vë përpara detyrimit për të ndërtuar një ngrehinë të tërë institucionale dhe për të rrjetëzuar të gjitha institucionet që kanë veprimtari që ndërthuret lidhur me gjithçka ka brenda në përmbajtjen e Parkut Kombëtar, gjë që do të kërkojë kapacitete të larta njerëzore, profesionale dhe eksperiencë të madhe. Dhe këtu bëhet shumë e vlefshme marrëdhënia jonë me organizatën ‘Patagonia’, ashtu sikundër së bashku kam besim se mund të tërheqim edhe të tjerë për ta mbështetur këtë proces”, shtoi Rama.
“Për shkak se ky është një park shumë kompleks, ne kemi marrë një ekspertizë ndërkombëtare përveç asaj të brendshme, që të gjitha procedurat e shpalljes të Vjosës Park Kombëtar, të jenë me standardet më të larta ndërkombëtare”, tha ai.
Fraksion.com