Rama: Ndarje nga faza kur korrupsioni ishte sistem i marrëdhënieve të qytetarit me shtetin
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Shqipëria ka filluar të ndahet shumë qartë nga një fazë kur korrupsioni ishte sistem i marrëdhënieve të qytetarit me shtetin në çdo kontakt.
Në fjalën e tij në Konferencën Kombëtare të Antikorrupsionit, Rama u shpreh se, “kjo Konferencë Kombëtare synon nga njëra anë të pasqyrojë rezultatet dhe problematikat në këtë betejë të përditshme dhe përgjatë gjithë frontit të marrëdhënies së shtetit me qytetarët, dhe nga ana tjetër të ndajë këto rezultate, por dhe këto problematika me të gjithë drejtuesit e shërbimeve publike, por edhe me përfaqësuesit e drejtorive apo të zyrave të caktuara të shërbimeve publike”.
“E pamë të udhës të shoqëronim nxjerrjen e raportit të antikorrupsionit me këtë Konferencë, sepse besojmë që është shumë e rëndësishme të ndajmë me publikun edhe vështirësitë, si dhe të përpiqemi të vendosim në një perspektivë këtë sfidë të vazhdueshme, e cila asnjëherë nuk mbaron, sepse në asnjë shtet të botës, që nga shtetet më të zhvilluara, çështja e korrupsionit nuk është zgjidhur përfundimisht. Por ndërkohë për të kuptuar se Shqipëria ka filluar të ndahet shumë qartë nga një fazë kur korrupsioni ishte sistem i marrëdhënieve të qytetarit me shtetin në çdo kontakt të tij me të”, theksoi Rama.
“Nuk ka qenë përpara 30 vitesh, por ka qenë përpara pak vitesh koha kur të gjitha shërbimet për qytetarët jepeshin me kontakt fizik të drejtpërdrejtë. Dhe kur edhe për shërbimet më bazike dhe të përmuajshme, si për shembull pagesa e dritave, qytetarët duhet të qëndronin në radhë shumë të gjata, në shi apo diell që të mund t’u jepej mundësia të paguanin kontributet e tyre”, tha Rama.
“300 mijë kontakte fizike zhvilloheshin në muaj mes qytetarëve dhe shtetit dhe natyrisht në këto 300 mijë kontakte fizike kishte arbitraritet të vazhdueshëm, mungesë të plotë cilësie në shërbim, mungesë të plotë transparence, zvarritje dhe shumë para nën dorë”, theksoi Rama.
Fraksion.com