Mbyllet pelegrinazhi në Kishën e Shën Ndout, Rama: Dëshirat dhe lutjet do të dëgjohen për të gjithë
Mbyllet pelegrinazhi i përvitshëm i 13 të Martave në Kishën e Shën Ndout në Laç.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga ky pelegrinazh ku mijëra qytetarë janë drejtuar vendit të shenjtë, pavarësisht besimeve të ndryshme fetare.
“Mirëmëngjes dhe me besimin se në këtë ditë të shënuar të mbylljes së pelegrinazhit të përvitshëm të 13 të Martave në Kishën e Shën Ndout, dëshirat dhe lutjet do të dëgjohen për të gjithë pelegrinët nga Shqipëria dhe Diaspora, të cilët pavarësisht besimeve të ndryshme fetare, i drejtohen çdo vit këtij vendi të shenjtë me përuljen para Zotit, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.
Janë 13 të marta që respektohen nga besimtarët për të mbërritur deri në ditën e Shna Ndout. Pelegrinë të shumtë i drejtohen çdo të martë këtij vendi të shenjtë për të gjetur ngrohtësi shpirtërore, duke drejtuar lutjet e tyre për qetësi, shëndet, harmoni dhe begati.
Pelegrinët janë nga çdo skaj i vendit dhe përfaqësojnë besime të ndryshme. Ata besojnë tek mrekullitë e Kishës së Laçit, ndaj edhe e frekuentojnë.
Mijëra persona udhëtojnë çdo të javë drejt kishës së Shna Ndout në Laç deri në ditën e 13 qershorit kur është dhe festa e këtij shenjti dhe numri i pelegrinëve shkon mbi 1 milion.
Kisha e Shna Ndout daton që nga shekulli XIII dhe objekti i rëndësishëm i kultit mori famë për shkak të Shna Ndout, një predikues i njohur katolik.
Fraksion.com