AktualitetPolitikëTë fundit

Manja: Arritje konkrete kundër korrupsionit, 60% e magjistratëve të vetuar u shkarkuan

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja vlerësoi rezultatet e arritura në kuadër të Reformës në Drejtësi, teksa vuri në dukje se Vetingu, shkarkoi e penalizoi 60 % të magjistratëve që kaluan në filtrat e këtij procesi.

Duke marrë fjalën në Konferencën e parë Kombëtare Antikorrupsion, që zhvilloi punimet sot në Tiranë, Manja tha se “sot jemi në këtë konferencë jo vetëm për të prezantuar strategjitë antikorrupsion apo për të ndarë me publikun luftën tonë të vazhdueshme kundër korrupsionit, por për të ndarë arritjet tona konkrete kundër korrupsionit dhe kjo është bërë e mundur falë vullnetit tonë politik të palëkundur për të mbështetur Reformën në Drejtësi dhe mbështetjes së vazhdueshme të SHBA-së dhe BE-së në luftën kundër korrupsionit”.

Ministri informoi lidhur me Reformën në Drejtësi në këto 6 vite pas nisjes së saj.

“Konstatoj se faza e parë, ajo e ngritjes dhe funksionalitetit të organeve të së drejtës, është tashmë e përfunduar. Kemi hyrë në fazën e dytë të reformës, që është konsolidimi i saj. Qëllimi i kësaj reforme në drejtësi ishte lufta kundër korrupsionit në drejtësi dhe rezultati i parë i kësaj reforme është Vetingu. Sot që flasim 60 % e magjistratëve kanë kaluar në sitën e Vetingut dhe gati 60 % e tyre janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen. Rezultati tjetër është se në këtë fazë të parë të reformës është vulosur ngritja e një arkitekture të re funksionale brenda sistemit të drejtësisë, që janë mekanizmat e duhura ligjorë që sistemi të kontrollohet dhe të jetë llogaridhënës”, tha ai.

Manja deklaroi se, “pasi procesi i Vetingut të ketë përfundur në 2024-ën, sot që flasim, KLGJ, KLP janë garancinë që sistemi të mos bjerë më në pikën ku ishte, por të jetë një sistem i pavarur që jep drejtësi për qytetarët”.

“Së treti, dua të vë në dukje funksionimin e SPAK dhe BKH. Sot që flasim, SPAK e BKH kanë dhënë rezultatet e para të prekshme në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta. Sot SPAK ka 17 prokurorë, BKH ka 28 hetues të emëruar dhe 32 të tjerë në proces emërimi, dhe janë një garanci se lufta ndaj korrupsionit në nivelet e larta garanton sukses”, theksoi Manja.

Manja tha se, “për periudhën 2016-2022 qeveria shqiptare ka buxhetuar organet e reja të drejtësisë me 114 miliardë lekë. Reforma në Drejtësi ka krijuar mekanizmat e duhura që sistemi i drejtësisë të japë rezultate efektive në luftën kundër korrupsionit në nivelet më të larta. Jemi gati të buxhetojmë shtimin e numrit të prokurorëve në SPAK, nisur nga ngarkesa e punës që do të ketë SPAK”.

 

Fraksion.com