Kim: Qeveria e përkushtuar kundër korrupsionit, e duam Shqipërinë gjithnjë e më shumë partner
Në Konferencën Kombëtare të Antikorrupsionit, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, tha se “më duhet në fakt të hamendësoj nga salla e mbushur plot këtu, që qeveria e Shqipërisë është shumë e përkushtuar kundër korrupsionit në një mënyrë që tejkalon përkushtimin e mëparshëm dhe për këtë dua t’ju përgëzojmë dhe t’ju nxisim”.
“Lufta kundër korrupsionit nga përvoja e SHBA është ajo për të cilën flasim, jo se ne nuk kemi korrupsion dhe jemi kaq të përsosur dhe kemi të drejtë që t’ju japim një mësim të gjithëve për korrupsionin dhe demokracinë. Por ne flasim për këtë, sepse ne kemi përjetuar në historinë tonë se ç’do të thotë kur nuk e lufton korrupsionin, se çfarë do të thotë kur nuk e mbron demokracinë”, tha Kim.
Ambasadorja theksoi se “të gjithë, ne, ju si qytetarë të Shqipërisë, dhe unë si përfaqësuese e SHBA-së, duhet të bëjmë së bashku forcat në këtë çast historik për t’i thënë mjaft korrupsionit, për të thënë se duhet të mbrojmë demokracinë, për të thënë se Shqipëria dhe SHBA mund të jenë më të forta, që Shqipëria mund të jetë më e fortë. Mendoni ku keni arritur si vend. Vitin e kaluar festuam 30 vite të Shqipërisë së lirë, të një populli i cili hoqi qafe komunizmin, diktaturën, të cilat janë forma të korrupsionit”.
“Ne duam që Shqipëria të jetë përherë e më tepër një partner dhe jo një problem, ju duhet ta udhëhiqni luftën. Shpesh flasim për rolin e SHBA dhe dëgjoj, “vetëm ju mund ta bëni”, por unë them që “ju duhet ta bëni”, SHBA si miqtë tuaj do të jenë me ju, në çdo hap të udhës dhe në çdo hap të rrugës, do të jetë i vështirë, ndonjëherë do ju shtyjmë, ndonjëherë nuk do të doni të vazhdoni më, ose ne nuk duam që të vazhdojmë më, ky është çasti ku ju mund të qëndroni apo ngriheni në një nivel. Ju jeni anëtar i NATO-s, jeni në prag të BE, ju do jeni anëtar, çdo shtet bie dakord që Shqipëria ka bërë punën të jetë anëtare e BE. Tani që nga 1 janari jeni anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB, ju vendosni, ju jeni lider me ne, ambasadori juaj në OKB, është një superstar. Kryeministrit i kërkohet të flasë për Ukrainën, apo për çështje të tjera, sepse Shqipëria ka peshë, por nuk mund ta bëni këtë nëse korrupsioni shihet si i pranueshëm. E themi këtë jo se ne jemi të çliruar nga korrupsioni, po kemi ligje dhe një sistem shoqëror që e bën të turpërueshme që i pushtetshmi të kërkojë avantazhin e të dobëtit, kemi prokurorë e gjyqtarë që priten të zbatojnë ligjin, por ne kemi qytetarë që kërkojnë të drejtat e tyre, si baza e demokracisë. Kështu 30 vite, një brez, ka ardhur koha të thonë që ligji është i zbatueshëm, i barabartë për të gjithë, nëse dikush shkel ligjin, dhe jo se jemi hakmarrës, por sepse çdo qytetar duhet të ketë një mundësi të barabartë”, tha Kim.